Në orët e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, deri tani vetëm një kandidat është propozuar zyrtarisht, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.
Por, për të caktuar seancën e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, nevojitet edhe një kandidat tjetër.
LVV u ka bërë thirrje partive opozitare që gjatë ditës së sotme të propozojnë kandidatin e tyre, duke u ofruar edhe nënshkrimet e nevojshme të deputetëve, 30 sosh për të lehtësuar procesin.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka deklaruar partia ka numër të mjaftueshëm deputetësh për të propozuar edhe një kandidat të dytë, por për momentin po ia lë këtë mundësi opozitës.
Ajo ka thënë se edhe presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i janë ofruar nënshkrimet për kandidim, por kabineti i saj e demantoi menjëherë këtë, duke e quajtur gënjeshtër.
Nagavci ka theksuar se LVV-ja është e gatshme t’i sigurojë Osmanit nënshkrimet e nevojshme për kandidaturë.
Sipas Kushtetutës, presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual, që këtë herë bie më 5 mars, para se Osmani ta mbyllë mandatin më 4 prill.
Opozita ka reaguar ashpër ndaj lëvizjeve të shumicës parlamentare.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, shkroi në Facebook se “tashmë është e qartë se Albin Kurti nuk kërkon zgjidhje, por pushtet total. Ai po e shtyn vendin drejt një krize të re politike”.
Edhe LDK kritikon qasjen e LVV-së, duke thënë se “qasja e papërgjegjshme politike e VV-së nuk reflekton përpjekje serioze për ndërtimin e konsensusit”, duke paralajmëruar se kjo mund të çojë në kalimin e afateve kushtetuese dhe zgjedhje të reja.
Haxhiu: Pa dy kandidatë nuk mund të thërras seancë për zgjedhjen e presidentit
LDK thotë se qasja joserioze e VV-së po çon vendin drejt zgjedhjeve të reja
Nagavci: Ia kemi ofruar Osmanit 30 nënshkrime, nuk ka pranuar ofertën
“Kjo është gënjeshtër”, Osmani thotë se LVV nuk ia ofroi nënshkrimet për rizgjedhje
Lushaku-Sadriu: Pa emra konsensualë dhe marrëveshje politike, nuk marrim pjesë