Osmani: Epopeja është histori sakrifice dhe triumfi ndaj krimeve të shkaktuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë

"Duke nderuar përjetësisht Jasharajt legjandarë, Prekazin historik dhe të gjithë të rënët nën flamurin madhështor të UÇK-së, marrim frymëzimin dhe energjinë e pashterrshme për të marshuar përpara në rrugëtimin e pandalshëm e të pathyeshëm për të realizuar idealin e tyre të shenjtë”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Në Kazermën “Adem Jashari” është mbajtur ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pjesë e kësaj ceremonie ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, gjeneral Bashkim Jashari, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari.

Presidentja Osmani në fjalën e saj ka thënë se heronjtë e rënë kthyen “dinjitetin tonë, mbrojtën pragun e shtëpisë, nderin dhe vatrat shekullore duke u shndërruar në flakadan të përhershëm të Republikës”.

Osmani ka theksuar se Epopeja është një histori e qëndrueshmërisë, këmbnguljes dhe shpresës, është histori sakrifice dhe triumfi ndaj krimeve të shkaktuara nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

“Me trimëri e guxim, këta burra e gra luftuan, luftuan për ta mbrojtur shtëpinë tonë e për ta siguruar një të ardhme më të mirë. Ata nuk ishin thjesht ushtarë, ishin dhe mbesin heronj. Kjo liri dhe ky shtet mbajnë vulën e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe të tre mijë dëshmorëve të UÇK-së dhe mijëra luftëtarëve. Ata janë mishërim i trimërisë dhe nderit, prandaj në këtë ditë kujtojmë edhe trimërinë e guximin e të gjithë ushtarëve tanë. Kosova është amaneti i tyre, e tashmja dhe e ardhmja e brezave. Sot po jetojmë në një kohë pasigurie globale, por do të marrim forcë nga heronjtë tanë, amaneti i tyre dhe pasardhësit e ushtrisë tonë çlirimtare. Ju jeni garanca jonë, krenaria jonë”, ka thënë Osmani.

Duke nderuar përjetësisht Jasharajt legjandarë, Prekazin historik dhe të gjithë të rënët nën flamurin madhështor të UÇK-së, “marrim frymëzimin dhe energjinë e pashtershme për të marshuar përpara në rrugëtimin e pandalshëm e të pathyeshëm për të realizuar idealin e tyre të shenjtë”.

“Përkrah forcave aleate, ishim dhe do të jemi, në misione humanitare, të paqes e stabilitetit, për të ardhmen e Republikës sonë edhe nën flamurin e NATO-s. Epopeja na kujton se çdo gjë është e mundur nëse besojmë në vetveten tonë dhe kauzën tonë dhe punojmë të gjithë së bashku drejt një qëllimi të përbashkët. Me 5,6,7 mars, Shabani, Ademi, Hamza, e secili anëtar i familjes, gra burra e fëmijë treguan heroizëm, stoicizëm e përkushtim, ndaj ne u detyrohemi atyre me mirënjohje të përhershme, do ta nderojmë kujtimin për ta duke ruajtur e kultivuar vlerat për të cilët ata luftuan dhe ranë”, shtoi ajo.

Pos tyre, pjesë e ceremonisë ishin edhe ministra të tjerë si ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e të tjerë.

Këtë të diel bëhen 25 vjet që nga rrethimi i familjes së Jasharëve, në Prekaz të Drenicës.

Në 25-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars do të organizojë manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Sulmin e gjerë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Serbia e kishte koncentruar në Prekaz, duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.

Ngjarja e fillimit të marsit të vitit 1998 ishte e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit, duke ngritur çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 dhe 5 marsit të vitit 1998, Prekazi ishte rrethuar nga forcat e shumta ushtarake dhe policore, e kjo kishte lënë të kuptohej se atje do të kishte rrethim të hekurt.

Më 5 mars të këtij viti bëhen 25 vjet nga rënia e komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuara nga forcat paramilitare serbe që nga viti 1991 deri më 1998. Synimi i tyre ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën ishin duke ia bërë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Të hënën do të vazhdojnë homazhet në Prekaz, pastaj Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne, e pasdite do të mbahet Akademi Përkujtimore.

Ndërsa, më 7 mars do të zhvillohet nata e zjarreve në Prekaz, si dhe një program artistik në sheshin e Skenderajt.

Më 30 dhjetor të vitit 1991, ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kishin kryer në muajin janar, 1998. Më 22 janar, forcat serbe kishin sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kishin rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që kishte zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kishin mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Pas këtij sulmi, familjes Jashari i kishin shkuar miq, shokë e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta. Ata i kishin kërkuar kryefamiljarit Jashari që t’i tërhiqnin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marrë vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë” dhe kishin vendosen të qëndronin. Kishin qëndruar për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.

Sulmi i tretë, që kishte ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, kishte marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve, familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i kishte mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia kishte dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethina dhe kishte arritur t’i shpëtonte sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila kishte parë dhe përjetuar tmerrin, derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.

Tashmë historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shija e redaktorit

“Ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Kosovën”,...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) me ç'rast ka vizituar ushtarët amerikanë të...

Konkursi për gradimin e policëve – “Të fortët” e Policisë...

Konkursi për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter” u mbajt më 4 maj, dhe siç nënkuptohet edhe atë ditë do të...

Trepça triumfon në finalen e parë me rikthim ndaj Yllit

Finalja e parë e “Play-off”-it i ka takuar Trepçës. Mitrovicasit edhe pse ishin duke humbur me 13 pikë dallim, të përkrahur nga tifozët kanë...

Të fundit nga rubrika