Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot 27-vjetorin e rënies heroike të Mujë Krasniqit – Kapuçit dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij.
Osmani ka theksuar se sakrifica e tyre përbën themelin e lirisë së Kosovës, duke u shprehur se ata ranë për t’u ngritur në përjetësi dhe për t’u shndërruar në simbol të përhershëm të kushtrimit për liri.
Ajo ka vlerësuar se “Kapuçi”, dhe bashkëluftëtarët e tij zgjodhën nderin mbi frikën dhe atdheun mbi jetën, ndërsa theksoi se liria dhe flamuri i lirë i Republikës së Kosovës janë borxh ndaj gjakut të tyre.
“Ata ranë për t’u ngritur në përjetësi, duke u shndërruar në kushtrim të lirisë. Mujë Krasniqi dhe shokët e tij zgjodhën nderin mbi frikën, atdheun mbi jetën. Gjakut të tyre i detyrohemi ne dhe flamuri i Republikës së Kosovës, i cili sot valon i lirë. Lavdi e përjetshme Mujë Krasniqit dhe 41 dëshmorëve të UÇK-së!”, thuhet në njoftimin e Presidencës.