Osmani: Vuçiqi tentoi ta prishte takimin me fyerje e arrogancë, ne kishim argumentet tona të fuqishme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë samitit të Brdo-Brijunit në Shqipëri, i bëri të qartë presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, se Kosova nuk e ka sulmuar e pushtuar askënd në historinë e saj.

Osmani tha se Vuçiq iu drejtua samitit me ofendime dhe arrogancë, duke tentuar ta prishë takimin, por Kosova arriti të miratojë deklaratën e përbashkët me unanimitet.

“Si në takimet tjera të Brdo-Brionit, ndoshta në një dozë më të madhe, Vuçiqi i Serbisë iu drejtua Samitit me ofendime e arrogancë, në tentim që ta prishte takimin. Arritëm në fund të miratojmë deklaratën e përbashkët me unanimitet, e natyrisht për çdo propagandë që Vuçiqi synonte të prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme, argumentet në anën e së drejtës që janë fuqizuar e mbështetur edhe nga drejta ndërkombëtare nëpërmjet vendimeve të  Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka deklaruar Osmani.

Presidentja theksoi se Kosova është pro bashkëpunimit rajonal, përfshirë marrëveshjen Kosovë–Shqipëri–Kroaci në fushën e mbrojtjes, duke e konsideruar këtë një aleancë mbrojtëse kundër rreziqeve, përfshirë ato që mund të vijnë nga Serbia.

“Aleanca jonë është aleancë për t’u mbrojtur nga rreziqet që vijnë nga tjerët. Në rastin tonë si Republikë e Kosovës rreziku vjen nga Serbia dhe natyrisht do të vazhdojmë ta fuqizojmë ushtrinë tonë me qëllim që të mbrohet Çdo centimetër i territorit të Kosovës dhe liria e fituar me shumë sakrificë e mund”, ka shtuar ajo.

Osmani mbërrin në Durrës për Samitin e Bërdo-Brionit, pritet nga Begaj

Të fundit nga rubrika