Emver Hoxhaj nuk ka folur për media kur është pyetur se a i ka siguruar dhe dorëzuar 100 nënshkrimet e nevojshme për të paraqitur zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të PDK-së, vetëm pak minuta para mbajtjes së Konventës së Përgjithshme të partisë, raporton gazetari i RTV Dukagjini Liridon Llozani.
Partia Demokratike e Kosovës sot mbledh 615 delegatë, prej të cilëve rreth 500 kanë konfirmuar pjesëmarrjen, për të zgjedhur kryetarin e ri pas dorëheqjes së Memli Krasniqit më 12 nëntor.
Sipas burimeve të TV Dukagjini, deri tani nënshkrimet janë pranuar vetëm për kandidaturën e Bedri Hamzës, ndërsa nga ana e Hoxhajt nuk ka asnjë konfirmim publik nëse procesi i grumbullimit të nënshkrimeve është përmbyllur.
Pikërisht kjo paqartësi ka vendosur Hoxhajn në qendër të vëmendjes së Konventës së sotme, teksa mbetet e hapur çështja nëse ai do të jetë pjesë e garës për drejtimin e PDK-së.