Pas humbjes së Vuçiqit, zhduket edhe “Cacilendi” – kampi që mbronte regjimin dhe sfidoi protestat studentore

Një ditë pas humbjes së Aleksandar Vuçiqit dhe SNS-së në zgjedhjet e parakohshme në Serbi, “Cacilendi” në qendër të Beogradit ka mbetur vetëm me mbetjet e tendave të djegura dhe mbeturinat. Kampi i ngritur nga pushteti në mars të vitit 2025, përballë Presidencës së Serbisë, ishte shndërruar në simbol të përpjekjeve për t’i bërë ballë protestave studentore.

Pas fitores së Listës Studentore në zgjedhjet e parakohshme, përkrahësit e saj hynë në hapësirën e rrethuar në parkun Pionirski në qendër të Beogradit, ku për më shumë se një vit e gjysmë qëndronin tendat e ngritura nga pushteti i Vuçiqit. Gjatë festimeve, tendat u shkatërruan dhe u dogjën.

Të nesërmen në mëngjes, gazetarët e BBC-së vizituan vendin që për muaj të tërë ishte i rrethuar me gardhe dhe i ruajtur nga policia. Punëtorët e shërbimeve komunale po largonin mbetjet e tendave, shumica të karbonizuara, bashkë me mbeturinat e tjera.

Pamja ishte krejt ndryshe nga ajo që qytetarët ishin mësuar të shihnin që nga marsi i vitit 2025. Një burrë i moshuar po shëtiste qenin e tij në park, diçka që nuk kishte mundur ta bënte për shkak të hapësirës së mbyllur dhe pranisë së tendave.

Nga kampi i pushtetit në simbol të rënies së tij
Kampi, të cilin kundërshtarët e regjimit të Vuçiqit e pagëzuan në mënyrë ironike “Ćacilend”, u ngrit përpara protestës së madhe studentore të 15 marsit 2025, një nga protestat më masive në historinë e Beogradit dhe Serbisë.

Në të qëndronin përkrahës të pushtetit, të cilët paraqiteshin si “studentë që duan të mësojnë”, në kundërvënie me studentët që protestonin kundër qeverisë.

Por kampi nuk ishte thjesht një grumbull tendash. Ai u bë një pikë e tensionit politik, ku, me lejen e policisë, mblidheshin edhe burra me fytyra të mbuluara, të gatshëm të “mbronin Cacilendin” nga kundërshtarët e pushtetit.

Për më shumë se një vit e gjysmë, hapësira në zemër të kryeqytetit mbeti e rrethuar dhe e paarritshme për qytetarët. Tani, pas humbjes së Vuçiqit në zgjedhje, ajo që dikur shërbente si mburojë e përkrahësve të tij është zhdukur.

Tendat që qëndruan për muaj të tërë në qendër të Beogradit, nën mbrojtjen e policisë, nuk janë më. Në vend të tyre kanë mbetur mbetjet e djegura, ndërsa pamjet e parkut të zbrazët shënojnë fundin e një prej simboleve më të debatueshme të përballjes mes pushtetit dhe protestuesve studentorë.

Sipas BBC-së në gjuhën serbe, në ndërtesën që deri tani ishte mbuluar nga gardhet dhe tendat pritet të ketë banorë të rinj, pasi brenda dy muajsh pritet të mbahen zgjedhjet e reja presidenciale.

Shija e redaktorit

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Të fundit nga rubrika