Pas kritikave të DASh-it, Kovaçevski paralajmëron vetting në gjyqësor

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski

Kritikat e Departamentit amerikan të Shtetit (DASh) në raportin vjetor për të Drejta të Njeriut, duhet të shërbejnë për angazhim më të madh të institucioneve në përmirësimin e gjendjes në fushat përkatëse, në veçanti në gjyqësor, si dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, ka deklaruar të martën kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Në raportin e DASh-it, në pjesën për Maqedoninë e Veriut, përmendet korrupsioni i rëndë qeveritar, mungesa e përgjegjësisë për dhunë me bazë gjinore dhe atë në familje, trajtim çnjerëzor dhe degradues në burgje, kërcënime me dhunë ndaj gazetarëve dhe kërcënime e dhunë drejtuar anëtarëve të komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor).

“Raportet e tilla duhet të përdoren në drejtim të përmirësimit të situatës në shoqëri, sidomos në ato që ne i analizojmë. Besimi në gjyqësor është diçka për të cilin duhet të punojë e tërë shoqëria, dhe para së gjithash organet e drejtësisë. Ne synojmë realizimin e më shumë projekteve, ku unë do ta theksoja procesin e vetingut, që duhet të përfshijë të gjithë funksionarët e emëruar dhe të zgjedhur. Ky proces duhet bërë në bashkëpunim me ShBA-të dhe BE-në”, ka deklaruar Kovaçevski, shkruan REL.

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, ndër të tjera, është thënë se megjithëse Maqedonia e Veriut ka një ligj që parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët, ende ka raportime për zyrtarë të përfshirë në korrupsion.

“Sondazhet e opinionit publik kanë përmendur vazhdimisht korrupsionin, si një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve…Kushtetuta parashikon gjykata autonome dhe të pavarura, por Qeveria jo gjithmonë ka respektuar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit. Rastet e sjelljes së pahijshme gjyqësore, presioni i panevojshëm politik, ryshfetet për gjyqtarët, drejtësia e stërzgjatur, si dhe stafi i pamjaftueshëm i gjyqësorit, vazhdojnë të pengojnë efektivitetin e gjykatës dhe të ndikojnë në besimin e publikut në sundimin e ligjit”.

Në raport, ndër të tjera, flitet edhe për kushtet e këqija në burgje, kushtet çnjerëzore në repartet e mbipopulluara të burgjeve dhe personelin e korruptuar në burgje, si dhe policinë që ka abuzuar me të paraburgosurit dhe të burgosurit, duke ka përdorur forcë të tepruar ndaj tyre.

“Në lidhje me situatën nëpër burgje, Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve, me mbështetjen e Qeverisë, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë, mendoj BE-në, SHBA-në dhe financuesit tjerë, punojnë që të eliminohen të gjitha vërejtjet e theksuara. Bëhen përpjekje për përmirësimin e kushteve në të gjitha burgjet e vendit”, ka deklaruar kryeministri maqedonas.

Sa i përket punës së mediave, raporti i DASh-it apostrofon dhunën dhe kërcënimet ndaj punonjësve të mediave, por edhe raportimet e ndara.

“Mediat vazhdojnë të jenë të ndara sipas linjave politike, por numri i mediave të pavarura që shprehin në mënyrë aktive pikëpamje të ndryshme pa kufizime të dukshme, vazhdojnë të rritet”, përmend raporti.

Kryeministri Kovaçevski ka thënë se raporti është hartuar para se të miratohen ndryshimet në Kodin Penal, që mbrojnë gazetarët nga dhuna dhe kërcënimet, pasi sulmi ndaj gazetarëve cilësohet si sulm ndaj zyrtarëve.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika