Pavarësisht mospajtimeve me Orbanin, KE-ja miraton fondet për Hungarinë

Komisioni Evropian ka miratuar fondet për Hungarinë në vlerë prej 900 milionë eurosh nga programi REPowerEU i BE-së. Kjo ka ndodhur pavarësisht përpjekjeve të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, për të bllokuar ndihmën që BE-ja ka dëshiruar t'i japë Ukrainës

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. Fotografi nga arkivi.

Komisioni Evropian ka miratuar fondet për Hungarinë në vlerë prej 900 milionë eurosh, pavarësisht përpjekjeve të kryeministrit hungarez për të bllokuar ndihmën që BE-ja dëshiron t’i japë Ukrainës.

Këto para vijnë nga programi REPowerEU i BE-së, që synon të ndihmojë 27 shtetet e BE-së që të rimëkëmben nga kriza e energjisë, që u shkaktua nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar. Ky program, po ashtu, synon të ulë varësinë nga karburantet fosile ruse.

Vendimi për zhbllokimin e fondeve vjen përderisa kryeministri hungarez, Viktor Orban – një kritik i BE-së që shpesh grindet me liderët e BE-së lidhur me nivelin e sundimit të ligjit në shtetin e tij – ka kërcënuar se do të pengojë ambiciet e Ukrainës që të anëtarësohet në bllok dhe planet e BE-së për t’i dhënë ndihmë Kievit në vlerë prej 50 miliardë eurosh.

Liderët e BE-së do të takohen në Bruksel muajin e ardhshëm për të diskutuar për nisjen formale të bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës.

Shtetet e BE-së kanë katër javë kohë për të mbështetur vendimin e Komisionit Evropian dhe për të miratuar dhënien e fondeve për Hungarinë.

Vlera totale e planit për rimëkëmbjen pas pandemisë së Hungarisë, që përfshin edhe programin REPowerEU, arrin në 10.4 miliardë euro në hua dhe grante. Komisioni ka insistuar që Hungaria duhet të arrijë reforma në sundim të ligjit, në mënyrë që fondet të zhbllokohen.

Hungaria, që pranon fonde të shumta nga BE-ja, është përballur me kritika të shumta për shkak të nivelit të demokracisë. KE-ja për pothuajse një dekadë ka akuzuar Orbanin se ka shkatërruar institucionet demokratike, ka marrë nën kontroll mediet dhe ka kufizuar liritë e minoriteteve. Orban, që gjendet në pushtet që nga viti 2010, mohon akuzat.

Orban ka kritikuar sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për shkak të luftës ndaj Ukrainës, pasi i ka cilësuar si joproduktive dhe muajin e kaluar është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin. Kjo ishte hera e parë që Putin u takua me një lider të një shteti të BE-së që nga nisja e luftës, shkruan REL.

Dhjetorin e kaluar, BE-ja ngriu miliarda euro në fonde për Hungarinë për shkak të dështimit të reformave në sundimin e ligjit.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika