PDK e LDK i gëzohen vendimit, LV-ja e pakënaqur akuzon Gjykatën Kushtetuese

Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike, të cilat iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese para më shumë se një muaji, u shprehën të lumtura me njoftimin që nxori sot ajo. Këto parti thanë se u vërtetua që Lëvizja Vetëvendosje është bllokuese e institucioneve dhe shkelëse e Kushtetutës. Ndërsa, në partinë që doli e para në zgjedhjet e 9 Shkurtit u shprehën të pakënaqur, duke akuzuar Gjykatën se është e anshme dhe se e shkeli Kushtetutën.

Vetëm dy ditë pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u zotua se do ta respektojnë vendimin, partia që ai e udhëheq akuzoi Gjykatën Kushetuese se e ka shkelur Kushtetutën me vendimin e saj të fundit.

Krahas akuzave që aktgjykimi pasqyron motive partiake, në reagimin e saj LV-ja shkroi se Gjykata nuk ka të drejtë të krijojë norma të reja kushtetuese.

“Njoftimi i Gjykatës paralajmëron se Aktgjykimi që pritet të dalë do ta cënojë rëndë ndarjen e pushteteve. Rast i paprecedentë dhe ndërhyrje flagrante në kompetencat e Kuvendit. Gjykata nuk mund të uzurpojë funksionin e hartimit apo amandamentimit të Rregullores së Kuvendit, sepse kjo përbën shkelje të Kushtetutës, përkatësisht parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve, i cili është një ndër shtyllat e demokracisë parlamentare. Rregullat e reja të paralajmëruara nga Gjykata Kushtetuese nëse nuk janë në Kushtetutë dhe as në Rregulloren e Kuvendit nuk mund të jenë në asnjë Aktgjykim”.

Kryetar i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, shkroi se aktgjykimi konfirmoi se Lëvizja Vetëvendosje është bllokuese e krijimit të institucioneve dhe shkelëse e Kushtetutës.

I lumtur me aktgjykimin u shpreh në një konferencë për media deputeti Abelard Tahiri, i cili tha se Gjykata konfirmoi pretendimet e ngritura nga Partia Demokratike.

“Tashmë nuk do ta kemi barrikadën që e pati vendosur z. Kurti me zonjën Haxhiu, si një barrikadë që nuk mund ta kalonim për të krijuar institucionet. Mirëpo, e njëjta nuk mund të dalë në votim më shumë se tri herë dhe shpresojmë që gjatë kësaj periudhe do të arrijmë në pikën kur do ta gjejmë një kanididat, i cili do ta ketë edhe votën e grupeve tjera parlamentare”, ka thënë Tahiri.

Fitore të republikës dhe të demokracisë e cilësoi aktgjykimin, kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, teksa e quajti uzurpatore partinë e parë.

Kurse deputeti Besian Mustafa, në një adresim për media, theksoi se Lidhja Demokratike do të vazhdojë të mbrojë kushtetutën, demokracinë dhe institucionet.

“Ne presim që të përmbushet pa asnjë vonesë obligimi kushtetues që ka dhënë Gjykata Kushtetuese, duke rifilluar procesin nga pika tre e rendit të ditës, të propozohet kandidati për kryetar të Kuvendit, përmes një procesi të rregullt, të hapur dhe në përputhje me Kushtetutën. Vetëvendosje duhet t’i jap fund arrogancës politike dhe qasjes anti-kushtetutës, pushteti nuk fitohet duke shkelur rregullat, por duke i respektuar ato”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, shkroi se partia e parë jo se nuk e kishte kuptuar vendimin e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, por, siç shkroi, “u kishte konvenuar ta bllokojnë shtetin”.

Shija e redaktorit

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Të fundit nga rubrika