Përfundon hartimi i Udhëzimit Administrativ për peticionin për mbajtjen e zgjedhjeve

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë të ditur se ka përfunduar hartimin e Udhëzimit Administrativ për peticionin për mbajtjen e zgjedhjeve

Ilustrim

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka përfunduar hartimin e Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i këtij dikasteri, Elbert Krasniqi.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se Udhëzimi Administrativ ka për qëllim përcaktimin e procedurës së inicimit, të organizimit dhe të dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, në pajtim me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.

“Pjesë e diskutimeve, punës dhe konsultimeve profesionale e edhe e grupit punues kanë qenë institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare. Për këtë çështje marrë parasysh që është hera e parë që trajtohet me rregullim normativ ka pasur shumë komente dhe sugjerime. Të gjitha janë trajtuar dhe pjesa më përmbajtësore janë adresuar”, ka shkruar Krasniqi.

Tutje, ai ka thënë se ky udhëzim jep mundësinë e zbatimit praktik të një të drejte të garantuar nga ligji për vetëqeverisje lokale, duke theksuar se “E drejtë kjo që siguron ushtrimin e vullnetit qytetar në raport me Kryetarin e Komunës, të cilin e zgjedhin drejtpërdrejtë vetë qytetarët”.

Një dokument i tillë vjen në kohën kur Bashkimi Evropian është duke i kërkuar me ngulm Kosovës që të shpallë zgjedhje të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Këto komuna aktualisht udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë.

Ata kanë dalë nga zgjedhjet e prillit, të cilat janë bojkotuar nga popullata shumicë serbe.

Rregullat procedurale thonë se pas nënshkrimit të Udhëzimit Administrativ nga ministri, do të duhen shtatë ditë që, pas daljes në Gazetën Zyrtare, të hyjë në fuqi.

Pas hyrjes në fuqi të këtij Udhëzimi Administrativ, qytetarët e katër komunave në veri të Kosovës mund ta iniciojnë menjëherë peticionin për largimin e kryetarëve aktualë të atyre komunave.

Në rast se arrihet mbledhja e 20 për qind të nënshkrimeve të votuesve nga iniciuesit e peticionit, atëherë Komisioni Qendror i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet e votuesve dhe organizon votimin në komunën ose komunat që kanë iniciuar peticion.

Për shkarkimin e kryetarit të një komune nevojiten 50 për qind plus 1 votë nga numri i përgjithshëm i votuesve të komunës përkatëse.

Në rast se rezultati i votimit kërkon shkarkimin e kryetarëve, atëherë ai i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse, si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.

Ndonëse dorëheqja eventuale e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës do t’i përshpejtonte procedurat e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, autoritetet e Kosovës kanë theksuar se nuk do t’ua kërkojnë këtë gjë kryetarëve aktualë.

Sipas tyre, zgjedhjet në këto komuna mund të mbahen vetëm pas shkarkimit të kryetarëve aktualë përmes peticionit të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të secilës prej këtyre komunave.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika