Pesë të vdekur pas rrëzimit të një avioni të Amazon në aeroportin e Miamit

Pesë persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur pasi një avion transportues i Amazon Air doli nga pista gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit në SHBA.

Avioni, një Boeing 767-300, po përpiqej të ulej në aeroport kur doli nga pista dhe u përplas me disa automjete në tokë. Ngjarja ndodhi pak para orës 14:00 sipas kohës lokale, ndërsa avioni kishte nisur fluturimin nga Aeroporti Ndërkombëtar Luis Muñoz Marín në San Juan të Porto Rikos.

Kryetarja e Qarkut Miami-Dade, Daniella Levine Cava, konfirmoi mbrëmjen e së dielës se pesë persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur.

“Fokusi ynë tani është te familjet, të plagosurit dhe operacioni i vazhdueshëm i emergjencës”, tha ajo.

Shefi i Zjarrfikësve të Miami-Dade, Raied Jadallah, bëri të ditur se tre nga pesë të plagosurit ndodhen në gjendje kritike. Disa prej tyre ishin bllokuar brenda ose poshtë automjeteve të goditura nga avioni dhe u desh të nxirreshin nga ekipet e shpëtimit.

Mbi 200 zjarrfikës morën pjesë në operacionin e emergjencës. Zjarri që përfshiu avionin u shua, por në vendngjarje vijonte të kishte rrjedhje karburanti.

Autoritetet amerikane kanë urdhëruar pezullimin e fluturimeve në aeroport ndërsa ekipet e emergjencës punonin në vendngjarje.

Avioni operohej nga kompania charter 21 Air, me bazë në Karolinën e Veriut, për llogari të Amazon. Sipas autoriteteve të aeroportit, avioni “doli nga pista diagonale e aeroportit të Miamit dhe mbeti i bllokuar në skajin veriperëndimor të aeroportit”.

Amazon deklaroi se po bashkëpunon ngushtë me autoritetet lokale dhe zyrtarët për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur.

Dëshmitarët thanë se pas përplasjes në zonë u ngrit një re e madhe tymi dhe u ndje një erë e fortë. Një dëshmitare, Beth Tilman, tha se era nuk i ngjante asaj të një zjarri në pemë apo në mangrova, por ishte një aromë që nuk e kishte përjetuar më parë.

Një student pilot, Rohan Ellis, tha se kur mbërriti pranë zonës pa sirena dhe helikopterë mbi vendngjarje. Ai i përshkroi automjetet e goditura nga avioni si “të shkatërruara”.

Autoritetet kanë theksuar se është ende herët për të përcaktuar shkakun e aksidentit apo për të dhënë detaje të plota mbi viktimat.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika