Pjesëmarrja në zgjedhjet në veri “e pamundur” për subjektet serbe

Mitrovica e Veriut





Lista Serbe tashmë ka deklaruar se kjo parti dhe qytetarët që e mbështesin atë, nuk do të jenë pjesë procesit zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës, më 18 dhjetor.

Subjektet e tjera politike serbe, Partia e Serbëve të Kosovës, Iniciativa qytetare “Mbijetesa serbe”, Partia Demokratike Progresive, të cilat konsiderohen kundërshtare politike të Listës Serbe, vlerësojnë se në situatën aktuale në veri të Kosovës, pjesëmarrja në çfarëdo procesi zgjedhor është e pamundur për to.

Aleksandar Jabllanoviq, drejtues i Partisë së Serbëve të Kosovës me seli në Leposaviq, ka thënë se situata bëhet edhe më e rëndë në rast se nis shqiptimi i dënimeve ndaj personave që kanë automjete me targa KM, në kuadër të planit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit për riregjistrimin e këtyre automjeteve në targa RKS (Republika e Kosovës).

“Ne, në këtë moment, jemi shumë më afër opsionit që të mos marrim pjesë në ato zgjedhje, përveç nëse në dy, tri apo katër ditët e ardhshme, nuk ndryshon diçka rrënjësisht në raportin e Qeverisë në Prishtinë ndaj serbëve lokalë. E kam fjalën lidhur me targat dhe rreziku që ekziston për ndëshkimin e njerëzve dhe konfiskimin e pasurisë së tyre”, ka thënë Jabllanoviq, shkruan REL.

Në zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës nuk do të marrë pjesë as Iniciativa qytetare “Mbijetesa serbe”.

Drejtuesi i këtij subjekti politik, Aleksandar Arsenijeviq, mendon se nuk ekziston “atmosferë demokratike” për një proces zgjedhor normal.

“Nuk ekzistojnë kurrfarë kushtesh, fare, për mbajtjen e zgjedhjeve. Them se aktualisht në veri nuk ekzistojnë mundësitë për organizimin e ndonjë ndeshjeje futbolli e lëre më për zgjedhje. Nuk do të marrim pjesë. Ne i dëgjojmë qytetarët tanë dhe jemi zëri i tyre, ndërkaq qytetarët tanë janë pranë vendimit që këto zgjedhje duhet bojkotuar”, thotë Arsenijeviq.

Edhe Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Demokratike Progresive me seli në Graçanicë, ka deklaruar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në veri të Kosovës, sepse, sipas tij, nuk ka kushte për një gjë të tillë.

Ai konsideron se duhet gjetur një vendim politik për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve.

“Mendoj se ky është momenti më i keq, në të cilin mund të iniciohet diçka për sa i përket zgjedhjeve lokale në veri. E kam theksuar shumë herë këtë dhe kam thënë që duhet gjetur një rrugë, por deri më tani nuk kam parë se ka hapësirë për t’u bërë diçka lidhur me këtë. Kjo nuk do të thotë se nuk mund të merret ndonjë vendim politik”, thotë Rashiq, i cili edhe më herët ka kërkuar që zgjedhjet në katër komunat e vendit të shtyhen.

Deri më tash, vetëm Slagjana Pantoviq, e cila në zgjedhjet e fundit lokale, në tetor të vitit 2021, ishte kandidate e pavarur për kryetare të Zveçanit, thotë se do të marrë pjesë sërish në zgjedhje më 18 dhjetor, nëse arrin të mbledhë 100 nënshkrimet e nevojshme.

Por, ajo vlerëson se qytetarët në veri të Kosovës janë shumë të frikësuar, dhe sipas saj, kanë drojë ta përkrahin publikisht.

Megjithatë, ajo beson se pjesëtarët e komunitetit serb nuk duhet t’i bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme, sepse, siç thotë ajo, veriun e Kosovës nuk e përbën Lista Serbe por populli.

“Nëse Lista Serbe ka dhënë dorëheqje, kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të marrim pjesë në të gjitha këto. Fundja, ne jetojmë të gjithë së bashku këtu. Nëse mendojmë për mbijetesë të mëtejshme dhe nëse nuk marrim pjesë, nuk e di se për çfarë do të shpresonim”, ka theksuar Pantoviq.

Sipas saj, pjesëtarët e komunitetit serb duhet të marrin vendimet e tyre, por edhe të bashkëpunojnë me Prishtinën për interesin e të gjitha komuniteteve.





Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika