Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se policia i trajton me prioritet të veçantë rastet e krimit të urrejtjes dhe të rasteve ndëretnike e të trashëgimisë kulturore.
“Është parim i Policisë së Kosovës që të ofrojë siguri, të ruajë të drejtat e të gjithë individëve pa marrë parasysh racën e tyre, besimin, etnitetin, përcaktimin seksual, gjininë apo paaftësinë”, thuhet në njoftimin e Policisë Kosovës.
Policia e Kosovës ka njoftuar se që nga viti 2008, i ruan 24 objekte të kultit ortodoks, kryesisht kisha dhe manastire, “ndërsa në mënyra të ndryshme operative përkujdeset për siguri dhe mbrojtje edhe për rreth 170 objekte të tjera ortodokse”.
Në njoftim thuhet se objektet e mbrojtura 24/7, nga marsi i vitit 2013 kanë kaluar nën mbikëqyrje të njësisë policore të formuar enkas për sigurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore fetare (NJSOTKF).
Sipas policisë, rastet e krimeve ndëretnike ndër vite kanë shënuar rënie.
“Si rezultat i punës dhe angazhimeve policore, rastet e mundshme me motive ndëretnike, ndër vite kanë shënuar rënie të theksuar, ku krahasuar me numrin e përgjithshëm të rasteve për periudhën Janar – Qershor të vitit 2022, raste të mundshme ndëretnike janë evidentuar vetëm (4) ose (0.01%) e numrit të përgjithshëm të rasteve në nivel vendi”, thuhet në njoftimin e tyre.
Në periudhën janar-qershor të vitit 2022, janë evidentuar vetëm dy raste të krimeve ndëretnike. Njëri ka të bëjë me dëmtimin e flamurit turk dhe tjetri shkrimi i grafiteve në gjuhën serbe.
Po ashtu, sipas njoftimit, rënie kanë pësuar edhe rastet e krimeve ndaj Trashëgiminë Kulturore Fetare (TKF).
“Po ashtu, si rezultat i punës dhe angazhimeve policore edhe rastet në Trashëgiminë Kulturore Fetare (TKF) kanë shënuar rënie, krahasuar me periudhën Janar-Qershor 2022 me atë të vitit paraprak, janë evidentuar (48) raste në TKF, ku prej tyre (30) raste ose 62.5% e këtyre rasteve kane ndodhur në objektet myslimane, përderisa vetëm (18) raste ose 37.5% e tyre kanë ndodhur në ato ortodokse”, thuhet në njoftim.
“Nga gjithsej 48 raste të kësaj periudhe gjashtëmujore, prej tyre 37 raste ose 77% kanë të bëjnë me vjedhje, vjedhje e rëndë dhe tentim vjedhje, kurse 11 raste ose 23% kanë të bëjnë me kanosje, asgjësim apo dëmtim i pasurisë dhe dëmtim i varrezave apo kufomave”, vijon njoftimi.
Në fund, në njoftimin e policisë thuhet se do të vazhdojnë të punojnë që numri i sulmeve apo krimeve ndëretnike të bjerë edhe më shumë.