Policia e Kosovës është duke hetuar dy raste vdekjesh që kanë ndodhur të mërkurën në Junik dhe Prizren.
Rasti i parë në Junik, ku në një shtëpi janë gjetur pa vetëdije dy gra të moshuara.
Ekipi mjekësor që ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar se njëra prej tyre kishte ndërruar jetë, ndërsa tjetra është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim mjekësor në gjendje të rëndë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Ndërkohë, rasti i dytë ka ndodhur në Prizren, ku është gjetur pa shenja jete një burrë. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
Policia ka bërë të ditur se të dy rastet janë duke u hetuar.