Presidentja tërheq kërkesën nga Gjykata Kushtetuese, shkak gjyqtari serb Radomir Laban

Presidentja Vjosa Osmani ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me rastin e mos-konstitumit të Kuvendit brenda afatit. Ajo tha se shkak për këtë është caktimi i Radomir Laban gjyqtar raportues i rastit. Presidentja tha se Laban paraqet rrezik për rendin kushtetues.

Në kohën kur pritet publikimi i një aktgjykimi, presidentja Vjosa Osmani e ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pasojat pas dështimit për konstituim të Kuvendit, me arsyetimin se gjyqtar raportues i rastit është caktuar Radomir Laban.

Në një konferencë pasditen e vonë ajo tha se gjyqtari, Laban, i cili ishte emëruar në Gjykatën më të lartë në vend më 2018, paraqet rrezik për rendin kushtetues të Kosovës.

“Kërkesa jonë ka të bëjë me çështje thelbësore për rendin kushtetues, prandaj është thellësisht shqetësuese se si një gjyqtar për të cilin institucionet tona të drejtësisë zyrtarisht kanë dorëzuar informata se e rrezikon shtetin tonë, t’i lihet në dorë ta përcaktojë fatin e rendit tonë kushtetues”, ka thënë Osmani.

Duke përmendur informacionet që kishte pranuar vitin e kaluar lidhur me, siç tha, rrezikun që paraqet Laban, ajo shtoi se për shkak të procedurave e ka të pamundur që të ndërmarrë hapa për shkarkimin e tij.

“Kjo cenon besueshmërinë e Gjykatës për rastin konkret si dhe rrezikon krijimin e një precedenti të rrezikshëm për të ardhmen e shtetin tonë…. Shkarkimi i një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese bëhet vetëm pasi të votohet një gjë e tillë nga 2/3 e gjyqtarëve dhe shkarkimi pastaj i propozohet presidentes nga vetë Gjykata. Pa një propozim të tillë nga gjykata, sipas Kushtetutës, nuk mund të merret asnjë hap nga ana e presidentes”, ka shtuar Osmani.

Megjithatë, presidentja i inkurajoi deputetët që t’i adresohen Kushtetueses, me shpresën që, siç u shpreh, gjyqtar raportues të caktohet dikush tjetër.

Vendimin për masën e përkohshme ndaj veprimeve të deputetëve nga 27 Korriku deri më 8 Gusht, Gjykata Kushtetuese e kishte marrë bazuar në kërkesat PDK-së dhe LDK-së.

Në tema të tjera, ajo e cilësoi jashtëzakonisht shqetësues faktin që Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë pranuar prova nga institucionet e Serbisë.

“Është dëshmuar historikisht që çdo provë që e prodhon shteti i Serbisë, në veçanti kundër popullit tonë dhe kundër Ushtrisë tonë Çlirimtare janë prova të falsifikuara të cilat kanë vetëm një synim, pra që ta rishkruajnë historinë”, ka thënë Osmani.

Presidentja kërkoi bashkim forcash ndërmjet, siç u shpreh, “institucioneve, qytetarëve, popullit dhe kombit” në tërësi, për të mbrojtur luftën e drejtë dhe çlirimtare.

Shija e redaktorit

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Muajt vendimtar, mbrojtja e ish krerëve të UÇK-së nis me...

Nga sot e deri në gusht Dhomat e Specializuara për Kosovën, do jenë në pushim veror. Por ndonëse kthimin në punë, të njëjtit do e...

Rama nënshkruan vendimin: Banesat komunale për familjet e dëshmorëve, në...

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot se ka nënshkruar një vendim që garanton siguri afatgjatë për familjet e dëshmorëve të...

Të fundit nga rubrika