Në ditët e ftohta të tetorit, nxënësit në SHFMU “Anton Zako Çajupi” në Bradhosh të Prishtinës ngrohtësinë nuk e gjetën në klasa.
Kështu të paktën janë ankuar prindërit në adresën e redaksisë, pasi ankesat në drejtorinë e shkollës nuk kishin sjellë rezultat.
Të shqetësuar për fëmijët, ata thonë se do preferohej të shkurtohej mësimi.
”Këtë javë nuk ka pas nxemje, s’ka mujt me majt mësimin deri në fund. Më thoshte djali se dy orët e para, pastaj ia nisnin me nirtht dhe shumica e nxënësve duhet të shkonin në shtëpi se ftoftë. Unë dje kam shkruar kujdestares se cili është problemi tha se s’kemi pelet, thash çfarë zgjidhje është kjo, po merdhihen nxënësit ndërprene mësimin”, ka thënë një prind ankues i një nxënësi në SHFMU “Anton Zako Çajupi”.
Ankesa kanë shfaqur edhe prindërit që gjatë javës sollën fëmijët në shkolla por që nuk deshën të deklarohen publikisht për Dukagjinin.
Televizioni ka vizituar ambientet brenda shkollës por këtë javë, kushtet klimatike janë përmirësuar.
Gjersa mohon mungesën e peletit, as drejtori nuk e përjashton mundësinë e shkurtimit të orarit në rast të mos-menaxhimit të situatës.
”Çdo ditë e kemi një dinamikë të ndezjes, ankesa mund të ketë vazhdimisht por nxënësit, shumica janë të kënaqur. Nëse ka eventualisht ftofje të kohës mundemi me shku me orar të shkurtun por informatat nga DKA thonë se do kemi furnizim të vazhdueshëm dhe ka kontrata të reja”, ka thënë Hajriz Maqani – Drejtor në SH.F.M.U “ Anton Zako Çajupi”.
Mes të tjerash, Maqani thotë se nga e hëna, do të rifurnizohen me material shtesë për periudhën e dimrit.
”Ka pas rezerva të mjaftueshme për këtë fillim të vitit shkollor edhe për këto kushte që jemi tash. Me këto rezerva që jemi tani, s’është e mjaftueshme të vazjdojmë edhe muajin e radhës por informatat që kemi, është se janë lidh kontratat e reja dhe nga e hëna vazhdojmë me furnizime. Kushtet që i kemi tash, mjaftueshëm jamë dy orë për fillim dite, dy orë pasdite, për të pasur kushte optimale për zhvillimin dhe mbarëvajtje mësimi”, ka thënë Hajriz Maqani – Drejtor në SH.F.M.U “ Anton Zako Çajupi”.
Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka bërë të ditur se vlera e kontratës së furnizimit me pelet është 295,000 euro, në nivel komune.