Autobusët e kryeqytetit nuk do të kthehen në qarkullim as këtë të hënë, 1 dhjetor, për shkak të grevës së nisur nga ndërmarrja “Trafiku Urban”.
Drejtori i ndërmarrjes, Gashi, ka njoftuar se greva do të vazhdojë derisa mjetet të alokohen në xhirollogarinë e ndërmarrjes, duke shtuar se vendimi për fonde është marrë të premten, por ende nuk ka arritur për verifikim në Ministrinë e Financave.
“Greva fillon nesër në orën 10:00 dhe do të zgjasë deri në orën 12:00. Me autobus do të bartim punëtorët tanë deri te objekti i Komunës. Greva do të vazhdojë deri në momentin kur mjetet të alokohen në xhirollogarinë e Trafikut Urban”, ka thënë Gashi për Radio Kosovën.
Zyrtarët e Trafikut Urban kanë konfirmuar se të gjitha biletat mujore të paguara do të kompensohen për ditët e ndërprerjes së shërbimit.
Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar vazhdimisht Qeverinë në detyrë për bllokim të mjeteve, ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, e ka kundërshtuar, duke thënë se vendimet elektorale të kryetarit kanë krijuar obligime pa mbulesë për Komunën.