Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë veprime urgjente pas deklaratës së bërë në Kuvendin e Kosovës, përmes së cilës dyshohet se është kërcënuar ish-kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Përmes një njoftimi, Prokuroria ka bërë të ditur se pas pranimit të informatave lidhur me deklaratën, prokurori kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm ka autorizuar Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme (NJHP), që të identifikojë personin e dyshuar dhe të ndërmarrë veprimet urgjente lidhur me rastin.
“Pas pranimit të informatave lidhur me një deklaratë përmes së cilës dyshohet se është kërcënuar deputeti R.H., Prokurori Kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm ka autorizuar Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme (NJHP), për identifikimin e personit të dyshuar dhe ndërmarrjen e veprimeve urgjente lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke zhvilluar veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
Prokuroria ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës për identifikimin e personit përgjegjës dhe zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa do të ndërmerren edhe veprimet e mëtejshme në përputhje me ligjin.
Rasti lidhet me deklaratat e bëra sot në ambientet e Kuvendit nga një mërgimtar, i cili, sipas raportimeve, bëri thirrje për pushkatimin e Haradinajt.
