Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për t’i kërkuar Kuvendit marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një mision në Gaza.
Sipas këtij vendimi, dërgimi i Forca e Sigurisë së Kosovës në një mision ndërkombëtar do të bëhet vetëm pas miratimit në Kuvendin e Kosovës.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se pjesëmarrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin në Gaza do të bëhet në kuadër të një komande të unifikuar ndërkombëtare për stabilizim.
Sipas tij, ky mision ka për qëllim mbështetjen e zbatimit të planit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, duke vepruar në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën humanitare ndërkombëtare.
“Dërgimi i FSK-së në këtë mision përfshin pjesëmarrjen e personelit të FSK-së në kuadër të komandës së unifikuar të forcës ndërkombëtare të stabilizimit e cila ka për mision të mbështesë zbatimin e planit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit të në Gaza. Gjithnjë duke u bazuar në mandatin e forcës ndërkombëtare të stabilizimit, ku të gjitha operacionet e forcës ndërkombëtare stabilizuese do të kryhen në përputhej me kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën ndërkombëtare të detyrueshëm përfshirë të drejtën humanitare ndërkombëtare…”, ka deklaruar ai në mbledhjen e Qeverisë.
Ai ka shtuar se përmes këtij angazhimi, Kosova dëshmon se është partner i besueshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë dhe mbrojtjes së civilëve.
Sipas Maqedoncit, ky vendim do të forcojë edhe më tej profilin ndërkombëtar të Kosovës dhe rolin e saj në misionet paqeruajtëse.