Polica iu ra në gjurmë të mijëra kriminelëve në gjithë Evropën, përfshirë në rajon, kur autoritetet e Belgjikës e Holandës arritën të deshifrohen miliona mesazhe në aplikacionin SKY.
Këto dy shtete pastaj ua dorëzuan secilit vend veç e veç provat që mund të ishin në interes për vendet e tyre.
Telefona të tillë po del që kanë përdorur edhe grupe të dyshuara kriminale në Kosovë, e më në fund edhe këtu autoritetet arritën t’i arrestojnë.
600 zyrtarë policor u shpërndanë në 47 lokacione të ndryshme në gjithë vendin në orët e hershme të mëngjesit të sotshëm.
Të njëjtit ishin në zbatim të operacionit të koduar “Qielli i thyer”. Zyrtarët policor arrestuan 22 persona, nën dyshimet për kryerjen e disa veprave penale, detajet e të cilave i kanë dhënë nga Prokuroria Speciale e Kosovës, përmes një komunikate të përbashkët me policinë.
“Pas një hetimi disa mujorë, të martën është realizuar operacioni anti-drogë “Qielli i Thyer”, në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Angazhimi dhe puna e koordinuar, e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë dhe PSRK-së, ka rezultuar me shkatërrimin e një grupi të krimit të organizuar të trafikimit me narkotikë, ku janë arrestuar 22 persona. Personat janë arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “krim i organizuar”, në lidhje me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimit të parave. Veprat penale, të pandehurit dyshohen se i kanë kryer përmes aplikacionit “SkyECC”. Aksioni është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit”, thanë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Një listë e gjatë e provave materiale u sekuestruan gjatë kontrollit e janë ngrirë llogari bankare në vlerë të 500 mijë eurove, si dhe është dhënë urdhër ndalues për të gjitha pronat e të pandehurve.
“Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: lëndë narkotike, 29 vetura, 134 e 900 mijë para të gatshme, 20 mijë e 40 franga zvicerane, 490 dollarë, 13 mijë euro para të falsifikuara, 9 orë dore të markave të njohura, 36 armë të llojeve të ndryshme, 1569 fishekë të ndryshëm, 1292 copë municione të ndryshme, një prese për paketimin e heroinës dhe kokainës, laptopë, telefona, usb dhe dokumente të ndryshme. Po ashtu janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë prej 400 mijë euro, dhe janë vënë nën urdhër ndalues të gjitha paluajtshmëritë e të pandehurve në këtë rast”, përfundon njoftimi i Prokurorisë Speciale e Kosovës.
Ndërkohë, Naim Rudari, avokat i njërit prej të arrestuarve, e ka quajtur operacionin e kundërligjshëm e arbitrar.
“Kontrollimi, arrestimi dhe ndalimi i mëngjesit të sotëm i disa personave i urdhëruar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me vepra penale të narkotikëve, nën pretendimin se kanë ndodhur në të kaluarën e largët, rezulton i kundërligjshëm, arbitrar, i pa matur e si i tillë do të duhej konstatuar shpejt me një vendim Gjyqësor. Unë përfaqësoj njërin nga të arrestuarit kundërligjshëm!!!”,deklaroi Naim Rudari. Mirëpo, hetimi që ka nisur kohë më parë e është përkrahur nga autoritetet e Belgjikës, Holandës dhe Europol-it, dhe edhe në shumë shtete tjera ende vazhdojnë të tilla hetime nga analizimi i mesazheve që u dërguan përmes SKY.