Qytetarët e Kosovës i shohin si legjitime protestat në Shqipëri, por janë kundër dhunës

Protestat në Shqipëri, qytetarët kosovarë i vlerësojnë si legjitime, por kërkojnë të ndalohet dhuna dhe dëmtimi i institucioneve.

Disa prej tyre, të intervistuar nga Ekonomia Online, shpresojnë për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë, në mënyrë që situata të mos përshkallëzohet më tej.

Për Fevzi Berishën, qytetarët shqiptarë kanë të drejtë t’i shprehin pakënaqësitë e tyre, por, në këndvështrimin e tij, dhuna nuk duhet të arsyetohet në asnjë rrethanë.

“Mendoj që protestat janë legjitime në çdo vend, që popullata të shprehë pakënaqësinë për dukuritë që ndodhin nëpër vendet e ndryshme, mirëpo megjithatë në asnjë mënyrë nuk arsyetohet dhuna që përdoret, edhe atëherë dhuna konsideroj e dyanshme, edhe nga e protestuesve edhe nga ana e policisë, mund të protestohet në mënyrë të qetë, mund të mos bëhen dëmtimet, sepse ato dëmtime janë të të gjithë qytetarëve dikush është i kënaqur, dikush jo, por jo të bëhen në atë mënyrë qysh janë bërë dëmtimet, e sidomos edhe të protestuesve, në anën tjetër, sigurisht edhe individualisht ka pasur edhe raste të veçanta, kur mënyra jo të mira ka vepruar edhe Policia, shteti. Prandaj apeli kishte me qenë që me gjet një zgjidhje sa më të shpejt që me u ndërpre, me u protestu, të protestohet por jo në atë mënyrë qysh është sot. Po ajo është shumë e dhimbshme pavarësisht e kujtdo qoftë ajo është e dhimbshme për çdo shtet, aq më tepër në shtetin amë që e konsiderojmë shtet tonin”, tha Berisha.

Edhe Murat Gërbeshi i përkrah protestat, teksa bën një krahasim mes protestave në Kosovë, që u bënë për disa ditë kundër Gjykatës Speciale, me ato në Shqipëri, ku po kërkohet dorëheqja e kryeministrit shqiptar, ndërsa ka shprehur shqetësimin e tij për mundësinë e përshkallëzimit të situatës.

“Kjo nuk është vetëm në Shqipëri, por në Itali dhe tëra anët, kjo është një lëvizje qytetare, çka do të dalë në fund një Zot e di. Shumë keq, shiko këtu te na kem 19 ditë ose 20 ditë, nuk ka pasur thyerje, unë dje jam kthyer nga Shqipëria, atje ish kiamet, vërtetë është tepër, Shqipëria gjithë qashtu, ju e dini në 97-tën, veç po e luti Zotin që s’kërcet pushka se ata s’dinë mu ndalë. Shiko, Policia është për ata që me mbrojt, s’ka qare ndryshe, se ata me fjalë s’po munden me i ndalë, kush po futet këtu, kush po punon, një Zot e din”, theksoi Gërbeshi.

Një tjetër qytetar, Xhelal Mati, shpreh keqardhjen për situatën e krijuar, duke thënë se ajo është e dëmshme për studentët, qytetarët, shtetin dhe Qeverinë.

Ai kritikon shkatërrimin e institucioneve publike dhe përplasjet mes protestuesve dhe Policisë, ndërsa kërkon që kryeministri Edi Rama ta kuptojë pakënaqësinë e studentëve dhe të reflektojë për mundësinë e ndryshimeve politike.

“Pavarësisht keq, shumë keq, si për studentë, si për popull si për shtet, si për Qeveri si për krejt. Mirëpo pse po ndodh, ata që e kanë marrë iniciativën me i bë ata e dinë më mirë, ama mua nuk po më vjen mirë hiq, fundi fundit kë po e shkatërron, po e shkatërron shtetin tënd, fundi fundi me kë mes vete, Policia me studentë, studentet me Polici, po shpresoj që do të vetëdijesohen edhe më në fund do të zgjidhet edhe Edi Rama që është aty duhet me pas njëfarë karakteri njerëzor, me u bindë që gjitha herët nuk mundesh me qenë në pushtet, por ka ardhë koha për ndryshime, gjithë këta studentë nuk po i këqyre askush pa arsye, por kanë një arsye që janë dërgo edhe ky duhet ti kuptojmë dhe duhet me dhanë dorëheqje, por tash varet qysh e pranon edhe qysh do të sillet, mua s’po me pëlqen hiq. Po hiq mirë, a mirë duket a? Ajo është katastrofë, institucionet e kujt, a janë të popullit? Kush ka investu qeky shtet, e ka rrënuar shtetin e ka shkatërruar shtetin, tash po këqyrin edhe studentet, janë të emocionuar, janë pak të inatosur ai ndoshta nuk e bën me vetëdije, se edhe policia janë nuk janë sjellë mirë, secila e ka negativitetin e vet, qysh do të përfundojë po shpresoj që do të bëhet mirë, të shohim, ama mua nuk më pëlqen hiç”, potencoi Mati.

Qytetarët e intervistuar nga EO shpresojnë që situata të qetësohet dhe palët të gjejnë një zgjidhje, duke shmangur dhunën dhe dëmtimin e pronës publike.

Sipas tyre, pakënaqësitë duhet të shprehen përmes protestave paqësore, ndërsa institucionet duhet të dëgjojnë kërkesat e qytetarëve dhe studentëve.

Ndryshe, qe tetë ditë po zhvillohen protesta të dhunshme në Tiranë, me të vetmen kërkesë, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.Deri më tani janë raportuar qindra protestues të lënduar, në mesin e tyre edhe dhjetëra efektivë të Policisë.

Shija e redaktorit

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

Të fundit nga rubrika