Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po vonojnë qëllimisht dërgesat e raketave për interceptimin e raketave ruse, duke thelluar përplasjen publike me presidentin amerikan, Donald Trump.
Duke folur të hënën me senatorë amerikanë, Zelenskyy tha se Pentagoni po vonon dërgesat e raketave që tashmë janë paguar nga vendet evropiane përmes programit PURL, i cili synon të sigurojë pajisje ushtarake për Ukrainën.
Sipas tij, dërgesa është në pritje të nënshkrimit të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Ndërkohë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i cili foli për The Washington Post në kushte anonimiteti, tha se SHBA-ja vazhdon të luajë një rol konstruktiv në bisedimet me të dyja palët, me synimin për t’i dhënë fund luftës.
Zelenskyy tha gjithashtu se disa vende evropiane janë të gatshme t’i transferojnë Ukrainës raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot nga rezervat e tyre, por po presin miratimin e SHBA-së.
“E gjithë kjo tregon se është marrë një vendim politik për të ngadalësuar mbështetjen ndaj nesh”, tha ai, sipas deklaratave të publikuara nga presidenca ukrainase.
Sipas The Washington Post, administrata Trump nuk e kishte miratuar transferimin e këtyre raketave në Ukrainë.
Trump, ndërkaq, ka fajësuar sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës për rritjen e çmimeve të karburanteve, një çështje e rëndësishme për zgjedhjet e mesmandatit në SHBA.
“Për të qenë i sinqertë, mendoj se është koha që dikush tjetër të negociojë në emër të Ukrainës”, tha Trump të hënën.
Zelenskyy i cilësoi si të vështira për t’u shpjeguar vendimet e SHBA-së lidhur me luftën, përfshirë vonesat në dërgesat e armëve dhe kufizimet në shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës. Uashingtoni mohon se ka bërë ndryshime në shkëmbimin e informacioneve me Kievin.
Ukraina thotë se nuk mori paralajmërim për sulmin rus
Zelenskyy tha se Ukraina nuk kishte marrë paralajmërim nga SHBA-ja për një sulm të mundshëm rus me raketa të dielën në mbrëmje.
Sipas zëdhënësit të Forcave Ajrore të Ukrainës, vendi nuk ishte paralajmëruar përpara sulmit me raketa ruse, i cili goditi termocentrale në Kiev rreth orës 23:00. Megjithatë, Ukraina mori paralajmërim për një sulm të mëvonshëm.
“Edhe një herë, Rusia nisi sulme me raketa balistike në disa valë gjatë natës dhe, edhe një herë, nuk pati paralajmërim nga partnerët tanë”, shkroi Zelenskyy të hënën në rrjetet sociale.
Mungesa e paralajmërimit ka rikthyer shqetësimet se Uashingtoni mund të jetë duke kufizuar informacionet e inteligjencës për të ushtruar presion ndaj Kievit që të pranojë kushtet e Moskës.
Ndërkohë, sulmet ruse kanë vazhduar edhe të martën. Autoritetet ukrainase njoftuan se katër persona u vranë dhe të paktën 11 të tjerë u plagosën.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës bëri të ditur se tre persona u vranë në rajonin e Kievit, ndërsa një tjetër humbi jetën në sulmet ndaj qytetit të Zaporizhzhias, në juglindje të vendit.
Autoritetet thanë se Rusia po vazhdon të godasë infrastrukturën energjetike dhe atë të transportit.
Gjashtë të vrarë nga një sulm me dron në Harkiv
Gjashtë persona, mes tyre edhe fëmijë të vegjël, u vranë të hënën pasi një dron rus goditi një park në rajonin e Harkivit, në verilindje të Ukrainës.
Zelenskyy e cilësoi sulmin si një “mizori të pastër”, duke thënë se droni goditi drejtpërdrejt njerëzit në një park pranë një kafeneje.
Në mesin e viktimave ishte edhe një vajzë njëvjeçare. Sipas autoriteteve, nga sulmi në Nova Vodolaha u vra edhe nëna e saj.
Witkoff pritet të udhëtojë në Norvegji dhe Rusi
Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, pritet të udhëtojë këtë javë në Norvegji për raundin e ardhshëm të negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë, raportoi Reuters, duke cituar tre persona të njohur me çështjen.
Dy prej burimeve thanë se presin që në takime të marrë pjesë edhe Zelenskyy. Ndërsa Jared Kushner, dhëndri i Trumpit, i cili pritej të ishte pjesë e bisedimeve, është i sëmurë dhe do të marrë pjesë virtualisht.
Diskutimet në Oslo pritet të përfshijnë Zelenskyyn, kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Støre, përfaqësues të grupit E4 — Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë — si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.