Rama: Evropa është zgjedhje, jo gjeografi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori pjesë këtë të premte në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në Kolegjin e Evropës, ku theksoi edhe një herë rëndësinë që projekti evropian ka për Shqipërinë.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se për shqiptarët, Evropa nuk është thjesht një hartë apo vendndodhje gjeografike, por një zgjedhje politike dhe civilizuese, një mundësi për bashkëpunim dhe jo për përplasje.

“Shqipëria është një nga vendet e rralla në Europën e sotme ku ëndrra europiane mbetet e gjallë, e freskët, urgjente dhe emocionale, pa u marrë si e mirëqenë dhe pa u katandisur. Besimi për Europën është aq i fortë sa edhe një veteran i BE-së do të skuqej si një adoleshent i dashuruar. Europa nuk është gjeografi, është një zgjedhje. Nuk është një vend, por një vendim për të zgjedhur bashkëpunimin përpara përplasjes”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë solli më pas si shembull deklaratën e Sekretares së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, e cila njoftoi dëbimin e rreth 700 familjeve shqiptare nga strehimet pas refuzimit të kërkesave të tyre për azil.

“Pak ditë më parë, Sekretarja e Brendshme e Britanisë përmendi rreth 700 familje shqiptare që jetojnë në strehime të financuara nga paratë e tatimpaguesve pas refuzimit të aplikimeve të tyre për azil. 700 familje në një vend me 67 milionë banorë—një përshpërimë statistikore e shndërruar në sirenë politike. Nuk e përmend për t’u ankuar apo për të ngatërruar BE me ‘të divorcuarën’ e saj aq të hedhur”, u shpreh Rama me ironi.

Ai shtoi se kur një ministër evropian, edhe pas Brexit, zgjedh të vërë në shënjestër një komunitet të vogël vetëm për të fituar pikë politike, kjo tregon se frika flet më shumë sesa faktet—dhe se për fat të keq, një qasje e tillë ende gjen audiencë.

Me këtë, Rama nënvizoi se sfida e vërtetë evropiane sot është të refuzohet politika e frikës dhe manipulimit, duke zgjedhur rrugën e dialogut dhe bashkëpunimit.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani dekoron Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”, si vlerësim për kontributin e tij mbi tri dekada për...

Shqipëria hap kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në...

Shqipëria ka hapur sot kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke përfshirë bujqësinë, sigurinë ushqimore, peshkimin, politikën rajonale dhe dispozitat...

Shqipëria hap grupkapitullin e fundit të negociatave në Bruksel

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot në Bruksel do të marr pjesë në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, gjatë së cilës do të...

Të fundit nga rubrika