Rama uron Vitin e Ri: Qoftë një kohë për paqe, për dashuri e për plot të qeshura

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një video-mesazhi ka uruar festën e Vitit të Ri dhe ka folur për të mirat që Shqipëria ka pasur gjatë këtij viti

Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një video-mesazhi ka uruar festën e Vitit të Ri dhe ka folur për të mirat që Shqipëria ka pasur gjatë këtij viti.

Rama në urimin e tij për qytetarët ka thënë, “Qoftë ky Vit i Ri një kohë për paqe, për dashuri e plotë të qeshura për ju dhe familjet tuaja”.

Ndërsa, ka përmenduar se çelja e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, Samiti i parë i BE-së jashtë kufijve të Bashkimit Europian, finalja e futbollit në Shqipëri janë disa nga progreset më të mëdha që Shqipëria ka pasur gjatë vitit 2022.

“Kemi pasur sidoqoftë edhe ditë të mira – mes tyre edhe ditë historike, si finalja e parë europiane e futbollit në Shqipëri apo Samiti i parë i BE-së jashtë kufijve të Bashkimit Europian, pa harruar momentin kulmor të shumëpritur, çeljen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian. Po me punët e me progresin e bërë gjatë këtij viti nuk po ju marr asnjë minutë nga mbrëmja e sotme”, ka thënë Rama.

Ai, në ditën e fundit të vitit ka thënë se edhe këtë vit është munduar të bëjë çdo gjë që ka mundur, por ka shtuar se nuk ka bërë çdo gjë që ka dashur.

Mesazhin e plotë të Ramës e gjeni të bashkëngjitur:

Sonte nuk kam një mesazh tradicional, kjo është nata e familjes suaj, miqve e të afërmve tuaj dhe mua më keni pasur thuajse çdo ditë në shtëpi.

Ju kërkoj ndjesë nëse e kam tepruar, nëse s’kam folur si duhet, nëse kam gabuar, shumë ndjesë!

Kam bërë si çdo vit gjithë sa kam mundur, por jo gjithçka kam dashur, të mundesha më shumë s’e kisha lënë pa bërë.

Ka qenë një tjetër vit tejet i vështirë, të cilin inflacioni i luftës dhe çmendja e çmimit të energjisë e kanë bërë një vit të zymtë për mbarë Europën.

Kemi pasur sidoqoftë edhe ditë të mira – mes tyre edhe ditë historike, si finalja e parë europiane e futbollit në Shqipëri apo Samiti i parë i BE-së jashtë kufijve të Bashkimit Europian, pa harruar momentin kulmor të shumëpritur, çeljen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian. Po me punët e me progresin e bërë gjatë këtij viti nuk po ju marr asnjë minutë nga mbrëmja e sotme.

Minutin tjetër do t’jua marr për t’ju lexuar një tekst të vjetër, që mua më mahnit gjithnjë dhe ndjehem sonte i privilegjuar ta ndaj me ju, nga Ekleziastët:

“Nën këtë qiell ka një kohë për gjithçka dhe ka një stinë për çdo veprim: Një kohë për të lindur e një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë e një  kohë për të shkulur, një kohë për të vrarë e një kohë për të shëruar, një kohë për të shembur e një kohë për të ndërtuar, një kohë për të vajtuar e një kohë për të qeshur, një kohë për zi e një kohë për valle, një kohë për t’i hedhur e një kohë për t’i mbledhur gurët, një kohë për të përqafuar e një kohë për t’u rezervuar në përqafime, një kohë për të këmbëngulur e një kohë për të hequr dorë, një kohë për të mbajtur e një kohë për të flakur, një kohë për të prishur e një kohë për të ndrequr, një kohë për të heshtur e një kohë për të folur, një kohë për të dashur e një kohë për të urryer, një kohë për luftë e një kohë për paqe”.

Qoftë Viti i Ri një kohë për paqe, për dashuri e për plot të qeshura për ju, familjen dhe miqtë e të afërmit tuaj!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

 

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika