Një raport i ri i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) vë në dukje se doktrina kombëtare e sigurisë së Serbisë është shndërruar në një instrument për institucionalizimin e armiqësisë ndaj Kosovës dhe forcimin e lidhjeve strategjike me Rusinë dhe Kinën.
Raporti me titull “Si e sheh doktrina e sigurisë së Serbisë Kosovën, Perëndimin, Rusinë dhe Kinën?“, i hartuar nga dr. Ramadan Ilazi, analizon Strategjinë Kombëtare të Sigurisë së Serbisë të vitit 2021.
Sipas analizës, pas fasadës së “neutralitetit ushtarak,” Serbia ushqen një narrativë anti-perëndimore, duke trajtuar pavarësinë e Kosovës si kërcënim për sigurinë kombëtare, për të justifikuar qëndrime dhe veprime agresive.
“Në letër, doktrina pozicionon Serbinë si një shtet që balancon mes Lindjes dhe Perëndimit. Por studiuesit e QKSS theksojnë se kjo është një fasadë. Në realitet, Serbia po ndjek një politikë me dy binarë: përfshihet në mënyrë selektive me Perëndimin për përfitime ekonomike dhe politike, ndërsa në të njëjtën kohë thellon aleancat ushtarake, ekonomike dhe ideologjike me fuqi autoritare si Kina dhe Rusia”, thuhet në raport.
Raporti zbulon se Serbia e përdor politikën e dyfishtë – duke bashkëpunuar në mënyrë selektive me Perëndimin për përfitime ekonomike dhe politike, ndërsa thellon marrëdhëniet me regjime autoritare si Rusia dhe Kina.
Sipas drejtorit ekzekutiv të QKSS, Mentor Vrajolli, ky afrim me Lindjen, i kombinuar me qasjen armiqësore ndaj Kosovës, sfidon drejtpërdrejt përpjekjet për integrim rajonal dhe euroatlantik.
“Gjetjet konfirmojnë se politika e sigurisë së Serbisë po harmonizohet gjithnjë e më shumë me Moskën dhe Pekinin në çështje strategjike thelbësore. Ky afrim, i kombinuar me qëndrimin armiqësor ndaj Kosovës, paraqet sfidë për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Vrajolli.
Një aspekt shqetësues i doktrinës serbe është përqafimi i modelit të “Mbrojtjes Totale,” që militarizon shoqërinë dhe zvogëlon dallimin mes sektorit civil dhe atij ushtarak. Kjo mund të sjellë pasoja të rënda për sigurinë e rajonit, sidomos nëse Serbia vazhdon ta portretizojë NATO-n, BE-në dhe shoqërinë civile si faktorë ndërhyrës.
Hulumtuesja Jeta Loshaj thekson se perceptimi i kërcënimeve është i politizuar dhe i manipuluar për nevoja të brendshme, duke shpërfillur ekstremizmin e djathtë të brendshëm dhe duke nxjerrë Kosovën si kërcënimin kryesor.
“Perceptimi selektiv i kërcënimeve në këtë doktrinë, i cili injoron ekstremizmin e djathtë të brendshëm dhe njëkohësisht e portretizon Kosovën si burim problemesh, reflekton një botëkuptim të politizuar dhe të sigurizuar nga ana e qeverisë serbe. Kjo narrativë nuk është e bazuar në fakte, por është e dizajnuar për qëllime të brendshme politike, për të justifikuar praktikat autoritare dhe për të kërkuar dominim rajonal”, ka thënë Loshaj.
Raporti i QKSS i bën thirrje BE-së dhe NATO-s që të kenë qasje më të vendosur ndaj Serbisë, duke kushtëzuar mbështetjen financiare me respektimin e standardeve demokratike. Po ashtu, kërkon nga Kosova forcimin e kapaciteteve diplomatike dhe koordinim më të mirë me aleatët për të mbrojtur pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare.