“Rënia e numrit të votuesve ishte sinjal për partitë politike”, Mulolli paralajmëron dështim nëse institucionet shihen të ndara

Drejtori i “Polcon”, Fitim Mulolli, ka thënë se këtë herë duket të ketë më shumë vullnet nga partitë politike për të gjetur një zgjidhje, pasi rënia e numrit të votuesve është parë si një sinjal alarmi.

Duke folur në emisionin “Five”, Mulolli tha se subjektet politike duket se janë vetëdijesuar për mesazhin që kanë dhënë qytetarët përmes pjesëmarrjes më të ulët në zgjedhje.

“Këtë herë duket se ka vullnet më shumë. Si duket, krejt partitë politike janë kthjellur nga rënia e numrit të votuesve dhe kanë marrë një lloj alarmi apo sinjali për ta”, tha Mulolli.

Ai u shpreh se një nga çështjet kryesore mbetet mënyra se si do të shihet procesi i themelimit të institucioneve, nëse ai do të trajtohet si i ndarë apo si një proces i përbashkët.

Duke komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se formimi i qeverisë është përgjegjësi e LVV-së, ndërsa zgjedhja e presidentit është përgjegjësi e të gjitha partive, Mulolli tha se ky është një qasje e gabuar.

“Sa i përket deklaratës së Kurtit, që tha se ne e bëjmë qeverinë, ndërsa për presidentin barra ndahet, mendoj që është gabim. Sepse nuk mundesh ta shohësh krijimin e institucioneve si në dy faza”, deklaroi Mulolli.

Sipas tij, formimi i institucioneve duhet të trajtohet si një proces i unifikuar, ku të gjitha palët duhet të marrin përgjegjësi për funksionalizimin e plotë të tyre.
ka thënë se gjatë periudhës 18-mujore pa institucione funksionale është parë një qasje e ndryshueshme e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili sipas tij herë është treguar më i zbutur dhe herë më agresiv në këtë proces. Ai tha se Kurti ka përdorur taktika të ndryshme, duke zhvilluar takime, por edhe duke bërë lëvizje politike.

“Kemi parë që brenda periudhës 18-mujore që s’patëm institucione, kryeministri në detyrë Kurti herë është zbutur e herë ka qenë agresiv. Ka ditë me taktizu në këtë proces. Herë ka bërë lojë e herë ka bërë takime”, tha Mulolli.

Sipas tij, nëse procesi i krijimit të institucioneve vazhdon të shihet i ndarë, mund të dështojë, pasi zgjedhja e institucioneve kryesore është e ndërlidhur mes vete.
“Në qoftë se vazhdon ta shohë këtë proces si të ndarë, do të dështojë. Sepse nuk mundet njëra pa tjetrën. E themelon kreun e Kuvendit, e themelon qeverinë, por nuk mundesh të shkosh tutje pa president. Pa votat e opozitës nuk mundet”, u shpreh ai.

Mulolli ka thënë se nuk duhet të ketë nxitim në formimin e qeverisë pa u siguruar paraprakisht se ekzistojnë votat e nevojshme në Kuvend.

“Nuk duhet të nxitohet me emërimin e qeverisë pa u siguruar që ka deputetë në sallë, 80 vota”, përfundoi Mulolli.

Ndersa, Analisti politik Afrim Kasolli ka deklaruar se mbetet e paqartë nëse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është e gatshme të arrijë një marrëveshje politike me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), pavarësisht raportimeve dhe zhvillimeve të fundit në skenën politike.

Në emisionin “Five”, Kasolli tha se fillimisht duhet parë nëse LVV është e interesuar ta kërkojë suksesin politik përmes një marrëveshjeje me LDK-në, por edhe nëse kjo e fundit do të jetë e gatshme t’ia ofrojë atë.

“Mbetet të shihet nëse është e interesuar ta gjejë suksesin te LDK-ja. Po ashtu edhe nëse LDK do të jetë e gatshme t’ia ofrojë suksesin LVV-së. Po i shohim raportimet mediale, por edhe eksponentë të caktuar po flasin për tensione që po dominojnë në këtë subjekt politik, gjë që e bën të paqartë nëse LDK është e gatshme dhe në mënyrë unike të bëhet pjesë e ndonjë aranzhmani me LVV-në”, tha ai.

Kasolli u ndal edhe te qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke theksuar se kjo parti nuk e ka përjashtuar mundësinë e mbështetjes për zgjedhjen e presidentit, por vetëm nëse propozohet një figurë konsensuale.

“PDK, tërthorazi, nuk e përjashtoi mundësinë që të jetë e gatshme të japë ndihmë për zgjedhjen e presidentit, mirëpo me disa parakushte. Kandidati duhet të jetë një figurë konsensuale dhe e pranueshme edhe nga PDK, pavarësisht faktit që e njëjta do të qëndrojë në opozitë”, u shpreh ai.

Sipas tij, gjuha politike e përdorur pas takimeve të fundit nuk dallon nga ajo e legjislaturës së kaluar, e cila përfundoi me zgjedhje të parakohshme.

“Gjuha politike e përdorur pas këtij takimi nuk ndryshon nga takimet e legjislaturës së kaluar. Qytetarët e Kosovës u detyruan të shkonin në zgjedhje më 7 qershor. Kemi qëndrimin e LVV-së se tema e qeverisë është përgjegjësi ekskluzive e saj, ndërsa zgjedhja e presidentit është temë e të gjitha partive politike”, deklaroi Kasolli.

Ai kujtoi se edhe në të kaluarën partitë politike ishin deklaruar kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por se përpjekjet për t’i shmangur ato nuk dhanë rezultat.

“Edhe në takimet e kaluara të gjitha subjektet politike kanë shprehur vullnet formal për marrëveshje politike. Secila është deklaruar kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe është angazhuar maksimalisht për shmangien e tyre, por në fund kjo nuk rezultoi me sukses”, tha ai.

Në fund, Kasolli tha se nuk do të ishte befasi nëse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do t’i bënte një ofertë të gjerë LDK-së për ndarjen e pushtetit, si pjesë e një strategjie politike.

“Mendoj se është kalkulim i Kurtit dhe nuk do të ishte befasi që ai t’i bëjë një ofertë gjeneroze LDK-së, sa i përket ndarjes së roleve për qeverinë dhe presidentin. Duke u nisur nga llogaritja se LDK nuk do të bëhet pjesë e koalicionit qeveritar, ai mund ta përdorë këtë si strategji për ta sulmuar politikisht LDK-në, duke thënë se, pavarësisht gjenerozitetit të tij, ajo nuk është në gjendje të shkëputet nga PDK-ja dhe kështu të përfitojë politikisht nga mungesa e unitetit të saj”, përfundoi Kasolli.

 

Shija e redaktorit

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

BookFest rikthehet në Albi Mall: 10 ditë me zbritje speciale,...

Nga 10 deri më 19 korrik, Libraria Dukagjini sjell edicionin e katërt të BookFest, festivalit të librit që tashmë është shndërruar në një pikëtakim...

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Të fundit nga rubrika