Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se Fushë Kosova, Drenasi, Obiliq dhe një pjesë e lagjes Kalabria në Prishtinë kanë mbetur pa furnizim me ujë.
Në njoftimin e KRU “Prishtina” bëhet e ditur se ndërprerja e furnizimit me ujë ka ndodhur pasi impianti i trajtimit të ujit në Shkabaj është jashtë funksionit, njofton Dukagjini.
Tutje, në njoftim thuhet se për shkak të nivelit shumë të lartë të turbullirës në kanalin Ibër-Lepenc, si shkak i reshjeve të dendura, e ka bërë të pamundur procesin e trajtimit të ujit.
Përveç këtyre zonave, KRU “Prishtina” paralajmëroi reduktime edhe në disa zona të kryeqytetit.
“Ekipet tona janë në terren dhe po monitorojnë situatën vazhdimisht. Furnizimi do të rikthehet menjëherë sapo të stabilizohen parametrat në kanalin furnizues”, thuhet në njoftim.