Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e rrëzimit të fasadës së një objekti në Fushë Kosovë, që dyshohet se ka ndodhur për shkak të erërave të forta.
Inspektorati i Komunës së Fushë Kosovës ka dalë menjëherë në terren për të inspektuar objektin ku ka ndodhur incidenti. Për arsye sigurie, zona është rrethuar dhe janë vendosur shirita mbrojtës, me qëllim parandalimin e rrezikimit të qytetarëve.
Si pasojë e rrëzimit të fasadës, një veturë ka pësuar dëme materiale, ndërsa personi i lënduar po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Komuna e Fushë Kosovës u ka bërë apel qytetarëve për kujdes të shtuar, ndërsa institucionet komunale kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë monitorimin e situatës dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë publike.