Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë të mërkurën se është pajtuar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, që Shtetet e Bashkuara dhe Serbia të zhvillojnë dialog të përbashkët strategjik në fund të këtij viti.
Në një shkrim në X pas takimit me Gjuriqin në Departamenti amerikan të Shtetit në Uashington, Rubio tha se “jemi të përkushtuar për marrëdhënie me dobi të ndërsjellë me Serbinë, e cilat sjellin përfitime për qytetarët tanë dhe interesat tona”.
Rubio dhe Gjuriq biseduan gjithashtu për “rëndësinë e uljes së tensioneve në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë, për të avancuar stabilitetin rajonal dhe për të krijuar kushte për rritje ekonomike dhe mirëqenie”, tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Tammy Bruce.
Lidhur me Kosovën, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka njoftuar se Gjuriq ka arritur të përcjellë “të paktën një pjesë të asaj me të cilën përballen njerëzit tanë në terren – presionet, përndjekjet, marrjen nën kontroll të institucioneve, madje edhe faktin që patriarku serb dhe Kisha Ortodokse Serbe janë nën presion”.
“Situata është vërtetë e tillë që kërkon angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare për të ruajtur stabilitetin”, ka thënë Gjuriq, sipas njoftimit.
Siç tha ai në një intervistë për RTS, “Serbia është një faktor që është e përcaktuar ta përdorë ekonominë si model dhe mënyrë për zgjidhjen e problemeve”.
Sipas kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që nga viti 2023 – kur në katër komunat në veri të Kosovës u zgjodhën kryetarë shqiptarë – në atë pjesë janë ndërmarrë hapa për integrimin e komunitetit serb.
Duke folur për krizën në Bosnje e Hercegovinë, Gjuriq tha se i ka përcjellë Rubios qëndrimin se “ajo që është bërë në rastin e (Millorad) Dodikut përbën një gjueti politike ndaj kundërshtarëve” dhe një përpjekje për ta larguar nga posti një njeri që është zgjedhur në mënyrë demokratike.
Marrëdhëniet SHBA–Serbi
Gjuriq tha pas takimit për mediat serbe se kjo vizitë ishte mundësi e madhe për Serbinë për ta filluar bashkëpunimin strategjik me administratën e presidentit Donald Trump herët dhe si vendi i parë në rajon.
“Mendoj se do të shohim më shumë rezultate dhe hapa më konkretë në javët dhe muajt në vijim. Vetë fakti që unë jam praktikisht ndër të parët nga pjesa jonë e botës si ministër këtu është një akt respekti dhe një dëshirë e sinqertë për të ndryshuar diçka për mirë”, tha Gjuriq për Tanjug.
Ai tha gjithashtu se “kemi parë se ka një oreks i madh” për të thelluar bashkëpunimin ekonomik përmes projekteve konkrete në fushën e energjisë, infrastrukturës, teknologjive të reja, shkencës, bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kulturës.
“Mendoj se kjo është një mundësi që duhet ta shfrytëzojmë, sepse administrata e udhëhequr nga presidenti Trump ka nevojë edhe për aleatë dhe miq, dhe Serbia, historikisht, dikur ishte në kuptimin e vërtetë të fjalës, dhe besoj se mund të jetë përsëri”, theksoi ai.
Dialogu strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.
Në janar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara së shpejti do të finalizojnë një marrëveshje për dialogun strategjik, por nuk është e qartë se kur do të fillojë ai.
Bazuar në informacionet nga Departamenti i Shtetit, Radio Evropa e Lirë kishte konfirmuar se SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Shqipërinë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se më 7 gusht do të hyjnë në fuqi tarifat e reja tregtare. Sipas vendimit, Serbia do të goditet me 35 për qind tarifa.
As Rubio e as Gjuriq nuk përmendën çështjen e tarifave në deklaratat e tyre.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian po zhvillon negociata për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, të cilat pritet të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Kosova dhe Serbia, gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, në shtator të vitit 2020, nën praninë e tij në Shtëpinë e Bardhë, nënshkruan Marrëveshjen e Uashingtonit për normalizim ekonomik.
Megjithatë, pesë vjet më vonë, shumë nga pikat e kësaj marrëveshjeje nuk janë zbatuar, ndërsa të dyja palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për mosrespektimin e saj./Radio Evropa e Lirë