Sekretari Austin në Izrael, thirrje për ta kufizuar fushatën ushtarake në Gazë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin ndodhet në Izrale dhe i ka bërë thirrje qeverisë izraelite të kalojë nga operacionet e mëdha luftarake kundër Hamasit në Gazë në një fushatë më të kufizuar

Foto: Reuters

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ndodhet në Tel Aviv ku po i bën thirrje qeverisë izraelite të kalojë nga operacionet e mëdha luftarake kundër Hamasit në Gazë në një fushatë më të kufizuar dhe për të parandaluar një luftë më të gjerë rajonale.

Në takimet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, sekretari Austin tha se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Izraelin mbetet e palëkundur, por shtoi se është e nevojshme që të merren të gjitha masat për t’i minimizuar pasojat te civilët.

Me vizitën e sekretarit Austin, Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta përdorin ndikimin e tyre falë mbështetjes së palëkundur për ofensivën, për ta bindur Izraelin që të zbusë ndikimin e saj shkatërrues ndaj civilëve palestinezë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes e vuri theksin pikërisht tek aleanca mes dy vendeve, duke thënë se SHBA mbetet aleati më i ngushtë për Izraelin.

“Jam këtu me një mesazh të qartë: Mbështetja e Amerikës për sigurinë e Izraelit është e palëkundur dhe Izraeli nuk është vetëm”, tha Austin.

Por, ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë thirrje për sigurinë e civilëve palestinezë.

“Mbrojtja e civilëve palestinezë në Gaza është një detyrë morale dhe një domosdoshmëri strategjike. Kështu që ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur dhe gjithashtu do të vazhdojmë të nxisim mbrojtjen e civilëve gjatë konfliktit dhe rritjen e fluksit të ndihmës humanitare në Gaza”, tha ai.

Sekretari Austin tha tutje se veprimet e Izraelit në këtë drejtim janë të rëndësishme për të ardhmen pas konfliktit, që ai tha se duhet të ketë si synim ekzistencën e dy shteteve, dhe se me gjithë vështirësitë, si izraelitët dhe palestinezët duhet të kenë shpresë për të ardhmen.

Ai shtoi gjithashtu se ShBA do të vazhdojë angazhimin për kthimin e pengjeve.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Gallant tha se Izraeli do t’i vazhdojë përpjekjet deri kur të arrihet objektivat e luftës, megjithëse theksoi se lufta e Izraelit nuk është kundër palestinezëve.

“Lufta jonë kundër organizatës terroriste Hamas, nuk është luftë kundër popullit të Gazës. Ne po luftojmë një armik brutal që fshihet pas civilëve. Janë investuar miliarda dollarë në Gaza, para që duhet të shkonin për infrastrukturën civile, por që u përdorën për të ndërtuar një rrjet tunelesh qindra kilometra të gjatë të pajisur me objekte ushtarake”, tha ai.

Të dy krerët e mbrojtjes e pranuan se në kushtet kur Hamasi fshihet pas civilëve, lufta është e vështirë.

Ata, si edhe kryeministri Netanyahu, gjithashtu paralajmëruan për rrezikun që paraqet Irani me veprimet e veta destabilizuese.

“Kjo është një betejë kundër boshtit iranian të terrorit, i cili tani po kërcënon ta mbyllë ngushticën detare të Bab el-Mandabit”, tha kryeministri Netanyahu.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka këmbëngulur se Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa të rrëzojë Hamasin nga pushteti, të shkatërrojë aftësitë e tij ushtarake dhe t’i kthejë dhjetëra pengjet.

Udhëtimi i Sekretarit Austin vjen pasi militantët e mbështetur nga Irani ndërmorën të shtunën një valë sulmesh me dronë kundër anijeve në Detin e Kuq dhe thanë se do të vazhdojnë derisa të përfundojë “agresioni” i Izraelit.

Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania – disa nga aleatët më të afërt të Izraelit – iu bashkuan thirrjeve globale për një armëpushim gjatë fundjavës dhe protestuesit izraelitë kanë kërkuar nga qeveria që t’i rifillojë bisedimet me Hamasin për lirimin e më shumë pengjeve, pasi tre prej tyre u vranë gabimisht nga trupat izraelite, ndërsa valëvisnin një flamur të bardhë.

SHBA-ja ka vënë veton ndaj thirrjeve për një armëpushim në OKB dhe i ka dërguar municione Izraelit, duke i kërkuar njëkohësisht që të ndërmarrë më shumë masa për të shmangur dëmin ndaj civilëve.

Lufta që zgjat prej 10 javësh ka shkaktuar vdekjen e mbi 18,700 palestinezëve. Rreth 1.9 milionë palestinezë – gati 85% e popullsisë së Gazës – janë larguar nga shtëpitë e tyre. Shumica janë grumbulluar në strehime dhe kampe tendash të OKB-së në pjesën jugore të territorit të rrethuar.

Zyrtarët amerikanë kanë bërë thirrje për operacione me objektiva të përcaktuara që vënë në shënjestër udhëheqësit e Hamasit, shkatërrimin e tuneleve dhe shpëtimin e pengjeve.

Këto thirrje erdhën pasi presidenti Joe Biden paralajmëroi se Izraeli po humbet mbështetjen ndërkombëtare për shkak të “bombardimeve pa dallim”.

Por, ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Gallant, tha javën e kaluar se vendi i tij do t’i vazhdojë operacionet e mëdha luftarake kundër Hamasit për disa muaj të tjerë.

Në këtë kontekst, disa ligjvënës amerikanë i kërkuan Izraelit t’i mbrojë civilët, ndërsa vazhdon luftën e tij kundër Hamasit.

“Gjashtë deri në tetë mijë fëmijë janë vrarë, 85% banorëve në Gazë u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre. Ata po jetojnë në strehime, sëmundjet (po) përhapen”, tha ligjvënësja demokrate, Debbie Dingell në një intervistë për televizionin NBC.

Senatori republikan, Lindsey Graham, i intervistuar në NBC, shprehu gjithashtu shpresën që Izraeli të kufizojë vdekjet e civilëve, duke i bërë thirrje të mendojë për të ardhmen.

“Arabia Saudite dhe vendet e tjera arabe nuk mund të normalizojnë (lidhjet) me Izraelin, nëse kjo krijon përshtypjen se po i braktisin palestinezët”, tha ai.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po përballet gjithashtu me kritika në rritje brenda vendit për krizën e pengjeve që filloi më 7 tetor kur Hamasi kreu sulmin terrorist vdekjeprurës dhe rrëmbeu më shumë se 240 vetë.

Javën e kaluar, tre nga pengjet u vranë gabimisht nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit.

Të afërmit e pengjeve të tjerë po i kërkojnë Izraelit të negociojë për të siguruar lirimin e tyre.

“Ne duam që ata të dalin të gjallë. Kjo është arsyeja pse jemi këtu, çdo ditë, derisa të dëgjojmë nga qeveria se ata janë ulur për të negociuar”, thotë Sharon Kalderon, kunata e njërit prej pengjeve, Ofer Kalderon.

Hamasi ka thënë se nuk do t’i lirojë pengje të tjera para se të ndalet ofensiva izraelite, por Katari që ka shërbyer si ndërmjetës në konflikt, nuk po heq dorë nga përpjekjet diplomatike për të ripërtërirë një pauzë humanitare.

Deri tani, nën presionin e SHBA-së, Izraeli i ka bërë udhëzimet e evakuimit më të qarta, ndërsa trupat hapën front edhe në qytetin jugor Khan Younis në fillim të këtij muaji, megjithëse palestinezët thonë se asnjë vend në Gazë nuk është i sigurt, pasi Izraeli vazhdon të kryejë sulme në të gjithë territorin.

Izraeli ka rihapur vendkalimin e tij kryesor të mallrave me Gazën për të lejuar hyrjen e më shumë ndihmave pas një kërkese nga SHBA-ja, megjithatë sasia e mallrave është ende më pak se gjysma e importeve të paraluftës, edhe pse nevojat janë rritur dhe luftimet pengojnë dërgimin e tyre në shumë zona. /VoA

 

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika