Sëmundjet e zemrës nuk njohin moshë

Në kuadër të Ditës Botërore të shëndetit të zemrës, Portali Dukagjini sjell një intervistë me një ekspert të kësaj fushe dhe krahas kësaj, edhe këshilla për mirëqenien e sistemit kardiovaskular

Ilustrim

“Megjithëse shumë qeveri kanë premtuar ndihmë, sistemi kardiovaskular në Kosovë mbetet akoma ende larg kushteve bashkëkohore”.

Kështu ka deklaruar Ramush Bejiqi, pediatër-kardiolog në një intervistë për Portalin Dukagjini, intervistë kjo u realizua në kuadër të ditës botërore të mirëqenies së shëndetit të organit kryesor të sistemit kardiovaskular, zemrës.

Si organi kryesor i sistemit kardiovaksular, zemra nuk përbën përjashtim nga organet të cilat duhet vëzhguar me kujdes që nga stadet e hershme të jetës. Sikurse kërcënime që rrezikojnë mirëqenien e saj numërohen 5 kryesore nga ana e Bejiqit.

“Prej momentit të ngjizjes ose periudhës embrionale-fetale dhe në të gjitha periudhat e jetës, ne duhet të kujdesemi për zemrën, ashtu edhe për sëmundjet kardiovaskulare, ashtu që organizmit tonë t’i ofrojmë mirëqenie maksimale. Një jetë pa strese, ushqimi i shëndetsëshëm, uji, qëndrimi në natyrë edhe aktiviteti fizik maksimal. Mirëpo në të gjitha fazat e jetës sonë, janë edhe specifikat për secilën moshë ashtu që në secilën prej tyre ne duhet të kujdesemi që t’i ofrojmë zemrës sonë dhe enëve të gjakut një mirëqenie maksimale”, ka deklaruar Bejiqi.

Sëmundjet kardiovaksulare nuk paraqiten vetëm te të rriturit. Përkundrazi, kohët e fundit ato janë shfaqur dita-ditës më shumë te fëmijët sesa te të rriturit dhe të moshuarit. Sipas pediatër-kardiologut Bejiqi, ndryshimi i standardit të jetës së përditshme te të rritur ka reflektuar edhe tek ai i fëmijëve.

“Te fëmijët ka ndryshuar edhe jeta. Jeta e të rriturve reflektohet te fëmijët tanë, kemi pak kohë të merremi me ta, i ushqejmë me ushqime ashtu që ata të mos bëjnë probleme dhe ne të bëjmë punët tona. Qëndrimi në natyrë ka ndrshuar. Nga 7 ditë të javës, ne i shfrytëzojmë dy po i patëm të lira e ndonjëherë edhe një. Si shkak i prindërve që punojmë, fëmijët e tyre duhet të qëndrojnë në shërbime kolektive qysh nga moshat e hershme dhe jo të gjithë e pranojnë këtë”, ka deklaruar Bejiqi, gjersa ka thënë se një gjë e tillë lë pasoja në mirëqenien e shëndetit të tyre.

Dr. Ramush Bejiqi

Studimet botërore kanë treguar se rreth 7 për qind e fëmijëve të moshave 10 deri në 15 vjeç janë përballur me aterosklerozë, një grumbullim i kolesterolit i cili shpie në sulme të zemrës dhe njëherit, edhe në ato të trurit. Një grumbullim i një sasie të tillë vjen si shkak i ushqimit, kaloritë e të cilit janë të pasura me yndyrna. Rrjedhimisht, një dietë e pasur ushqimore do të parandalonte shfaqjen e problemeve të sistemit kardiovaskular te fëmijët, probleme këto të cilat janë më të zakonshme te personat mbi 60 vjeç.

Krahas secilit organ në trupin tonë, edhe sistemi kardiovaskular ka kapacitetet dhe kufijtë e vet të pranimit të ngacmimeve. Mirëpo, profesionisti në fjalë ka treguar se shenjat e para të cilat tregojnë se sistemi kardiovaskular është duke u cenuar karakterizohen me lodhje, djersitje, refuzim të ushqimit e deri te shenjat e drejtpërdrejta e, njëherit, më të rënda siç janë dhimbja në krahëror, ënjtja e këmbëve dhe dhimbje në nyje.

Si rrjedhojë, ai ka treguar se në kohën kur pacientët u nënshtrohen ekzaminimeve, konstatohet se një pjesë e madhe e tyre kanë dëmtime në këtë sistem.

“Kosova është pjesë e shteteve bashkëkohore ku sëmundjet kardiovaskulare janë dominuese. Kosova ka bërë një përparim në kardiologjinë adulte, bëhen disa operacione, por ne jemi ende larg shteteve përreth nesh, edhe ndaj një Maqedonie që ka qenë shumë më prapa nesh e të mos flas për një Serbi që bën transplante të zemrës çdo javë përmes metodave më bashkëkohore”, ka deklaruar Bejiqi.

Ai ka thënë se koha e pritjeve për operacione kardiologjike është shumë më e lartë sesa vendet në rajon.

Së fundmi, Kosova është përballur me rënien e numrit të mjekëve. Një gjë të tillë për Portalin Dukagjini e kishte konfirmuar kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu.

Pleurat Sejdiu, nga OMK

“Deri më tani, 2022, janë 168 mjekë që kanë tërhequr dokumentin e nevojshëm për punësim në shtetet e BE-së”, ka deklaruar Sejdiu, gjersa ka bërë të ditur se lëmia më e rrezikuar është ajo e anesteziologjisë, jo vetëm në QKUK por edhe në spitalet rajonale.

Portali Dukagjini ka tentuar të marrë përgjigje nga Shërbimi Klinik Spitalor Universitar i Kosovës lidhur me mungesën e kushteve në reapartin e Kardiologjisë dhe mungesën e kardiologëve, por të njëjtit nuk janë deklaruar akoma.

Ndërkaq, pediatri-kardiologu Bejiqi ju rekomandon ushqim të shëndetshëm, më pak stres, ushtrime fizike, më shumë ujë dhe krahas saj, edhe një qëndrim më të gjatë në natyrë, ashtu që mirëqenia e zemrës të jetë më e mirë dhe më e shëndetshme.

Shija e redaktorit

Pritet votimi për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill...

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka bërë të ditur se çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE është këtë të martë në rend...

Hovenier: Shoqëritë janë më stabile nëse gratë janë ekonomikisht dhe...

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier derisa ka cituar një letër të presidentit amerikan, Joe Biden, ka thënë se...

Presidentja e Sllovenisë: Uroj që të jetojë derisa ta shoh...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, e cila do të marrë pjesë në...

Të fundit nga rubrika