Analisti politik, Ibrahim Shala, nuk pret ndonjë befasi në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, e cila mbahet nesër.
Shala, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se pret që procesi të zhvillohet sipas një procedure normale, duke nisur me konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e kryesisë dhe më pas formimin e Qeverisë.
Sipas tij, partia fituese i ka votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, ndërsa vlerësoi se edhe partitë opozitare nuk kanë interes që në seancën e nesërme të ndërmarrin ndonjë veprim që do ta pengonte këtë proces.
“Nuk parashoh ndonjë befasi, besoj se do të jetë një procedurë normale sepse do të bëhet konstituimi i Parlamentin, pastaj kryesia e pastaj do të shkojnë në zgjedhjen e Qeverisë. Besoj që gjithçka do të shkojë në rregull duke parë edhe deklarimet e partive opozitare. Partia fituese i ka votat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë dhe besoj që as partitë e tjera nuk do të kishin interes që pikërisht nesër të bëjnë ndonjë veprim që është në kundërshtim me këtë procedurë. Nuk pres as që të kërkohet kohë shtesë, VV-ja ka pasur kohë të mjaftueshme me i ezauru mundësitë e veta dhe janë të vetëdijshëm se nëse bëjnë një shtyrje edhe nesër do të ketë kundër efekt për ta”, u shpreh Shala.
Shala nuk pret as që Lëvizja Vetëvendosje të kërkojë kohë shtesë, duke vlerësuar se kjo parti tashmë ka pasur kohë të mjaftueshme për t’i shfrytëzuar mundësitë e saj politike.
Duke folur për zhvillimet pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, analisti politik tha se partitë do të kenë më pas një periudhë prej 60 ditësh për të reflektuar lidhur me zgjedhjen e Presidentit.
“Në momentin kur konstituohet Kuvendit dhe organet drejtuese të Kuvendit, kur zgjidhet Qeveria dhe bëhet funksionale janë edhe 60 ditë për të reflektuar secili deri te afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit. Gjatë këtyre ditëve kanë mundësinë për të reflektuar liderët politikë, partitë e edhe deputetët veç e veç për zgjedhjen e presidentit ose shkuarjen në zgjedhje”, u shpreh Shala.