Shtetet e Bashkuara po ia dorëzojnë Venezuelës një tanker që e sekuestruan këtë muaj, thanë të mërkurën për Reuters dy zyrtarë amerikanë.
Ky është rasti i parë i njohur në të cilin administrata e Presidentit Donald Trump ka kthyer një tanker të tillë.
Shtetet e Bashkuara kanë kryer një përpjekje disa mujore për të sekuestruar tankerë nafte të lidhur me Venezuelën, duke kryer shtatë sekuestrime që nga fundi i vitit të kaluar.
Zyrtarët, të cilët folën me kusht anonimiteti, thanë se tankeri që po i dorëzohet autoriteteve venezuelase ishte supertankeri M/T Sophia me flamur të Panamasë. Ata nuk thanë pse po kthehet tankeri.
U.S. Coast Guard, e cila drejton operacionet e ndërhyrjes dhe sekuestrimit, nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment, raporton Reuters.
Sophia u ndalua më 7 janar nga U.S. Coast Guard dhe forcat ushtarake amerikane. Në atë kohë, administrata tha se Sophia, e cila ishte nën sanksione, ishte një “tanker motorik i flotës së errët, pa flamur dhe i sanksionuar.”
Trump ka fokusuar politikën e tij të jashtme në Amerikën Latine tek Venezuelën, duke synuar fillimisht të largojë nga pushteti presidentin venezuelas Nicolás Maduro.
Pasi nuk gjeti një zgjidhje diplomatike, Trump urdhëroi forcat amerikane të fluturonin në vend për ta kapur atë dhe bashkëshorten e tij në një sulm të guximshëm gjatë natës më 3 janar.
Që atëherë, Trump ka thënë se SHBA ka plan të kontrollojë burimet e naftës së Venezuelës pa afat, ndërsa synon të rindërtojë industrinë e shkatërruar të naftës me një plan prej 100 miliardë dollarësh.