Si të raportojnë gazetarët shkeljet e punëtorëve në vendin e tyre të punës, kur vetë gazetarëve u shkelen të drejtat?
Kjo ishte pyetja kryesore në prezantimin e manualit “Të drejtat e punonjësve të medias, nga ligji te praktika”, i organizuar nga Asosacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Instituti Kosovar për Stabilitet (IKS).
Brikena Berisha nga IKS tha se është koha të flitet për presionin që u bëhet gazetarëve gjatë orarit të punës, shkeljen e orarit, ngacmimin seksual dhe shumë gjetje të tjera.
“Në hulumtim na ka dalur se punëtorët nëse vendosin me i raportuar shkeljet gazetarët dhe mediat mbesin një pjesë e sigurt për ta. Padyshim nga kjo e gjetur e jona, filloj bashkëpunimi me AGK, një bashkëpunim profesional ku gjatë rrugës ne filluam të mendojmë lidhur me trajnimin e gazetarëve me raportimin. Si ka mundësi me u raportu kur ka mangësi njohurish të gazetarëve dhe ka shkelje të drejtave të punës në këtë sektor.. Padyshim që është koha të fillojmë të flasim në sektorin e gazetarisë, orët e gjata të punës, punë në presion, linçim në publik, aspekti mental, ngacmimi seksual”, tha Berisha.
Drejtoresha ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi, si mangësi kryesore përmendi faktin se gazetarët nuk kanë një sindikatë të tyre.
“Gazetarët dhe mediat janë të zorshme të punojnë brenda vendeve të punës. Nuk kanë një sindikatë gjithëpërfshirëse, të vetmet janë brenda televizionit publik. AGK, detyrohet të luaj dhe rolin e sindikatës. Puna e sindikatës është shumë specifike dhe kështu bie barra mbi bordin dhe përfaqësuesit tonë ligjorë”, tha ajo.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së Kryeinspektorit të punës, Vesel Zhinipotoku, përmendi shkeljet më të shpeshta që bëhen në media.
“Nga të gjeturat e deritanishme, kemi arritur që edhe në media, gazetarët në këtë rast hasim raste të shpeshta ku u cenohen të drejtat duke përfshi punën jashtë orarit në shumicën e rasteve, punën që bëjnë gjatë vikendeve apo festave zyrtare, gazetarët janë çdoherë aktiv. Mirëpo duhet të ketë parasysh se dispozitat e ligjit janë obligative të respektohen. Ne kemi konstatuar se ka mangësi dhe u cenohen të drejtat. Një fokus i veçantë i kushtohet edhe çështjes së sigurisë, gazetarët janë çdo kund, edhe në pozicione ku cenohet edhe jeta e tyre, sidomos ngjarje të jashtëzakonshme, psh në Veri ku ka pasur atakim të drejtpërdrejtë. Ne kërkojmë edhe në vazhdimësi kemi kërkuar nga mediumet, qe gazetarëve dhe stafit tjetër, t’u krijohen kushtet dhe t’u vlerësohet risku. Numri i mediave te inspektuara shumica e tyre vërejmë që ka tejkalime, sidomos të orëve të punës pastaj edhe te pagesat janë çështje edhe kontraktuale. Ne kemi obligim që të shikojmë nivelin e zbatimit të pagës minimale dhe pagesat që bëjnë punën e njëjtë”, theksoi ai.
Gazetarja Iliri Pireva tregoi historinë e saj se si është larguar nga vendi i punës pasi kishte bërë kërkesë për pushim gjatë festave./KP