Shqipëria ndërpren marrëdhëniet diplomatike me Iranin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se Shqipëria ka shkëputur marrëdhëniet diplomatike me Iranin, për shkak të sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shtetërore që kanë ndodhur gjatë muajit korrik

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, për shkak të sulmit kibernetik ndaj institucioneve qeveritare.

Rama ka njoftuar se vendimi i është bërë i ditur Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Tiranë. Sipas njoftimit të shtetit shqiptar, personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë.

“Në 15 korrikun e shkuar vendi ynë u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare”, ka thënë Edi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë ka shtuar se sulmi nuk ia arriti qëllimit.

“Krahasimisht me objektivat e agresorëve, dëmet mund të konsiderohen të vogla. Sistemet u rivunë të gjitha në punë dhe asgjë nuk u zhduk pa kthim”.

I pari i qeverisë shqiptare ka shtuar se për javë të tëra është punuar paralelisht për rivënien e të gjitha sistemeve në punë, qoftë për hetimin për gjetjen e agresorëve.

“Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron”, tha Rama.

Kryeministri njoftoi se kanë informuar aleatët strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike, me të cilat kanë ndarë edhe rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit.

Rama shtoi se duke filluar nga Këshilli i Ministrave, është vendosur me efekt të menjëhershëm për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit.

“Kjo masë ekstreme, aspak e dëshiruar po krejtësisht e detyruar, është në proporcion të plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërinë e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend”, shton Rama.

Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se dështimi i këtij sulmi masiv mbi vendin, falë rezistencës së sistemeve që kanë ngritur, nuk është fundi i kërcënimit kibernetik, por thjesht prova se tanimë edhe Shqipëria ka hyrë, falë zhvillimit digjital, në hartën e gjerë të luftës për sigurinë kibernetike.

Por, lajmi i mirë sipas Ramës është se e dinë se çfarë duhet të veprojnë për të mos u përsëritur sulmi kibernetik.

Rama për sulmin e fuqishëm kibernetik: Është i organizuar nga një shtet

Shija e redaktorit

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Të fundit nga rubrika