Për herë të parë në Gjakovë, po vjen Panairi i Librit, në kuadër të Festivalit të Kulturës Shqiptare “Ditët e Nëntorit”.
“Ditët e Nëntorit” është një prej ngjarjeve më interesante që organizohet në qytetin e Gjakovës dhe, ndër aktivitetet e shumta me vlera artistike, kësaj radhe festës po i bashkohet edhe libri. Si përherë, shtëpia botuese “Dukagjini” do të jetë afër lexuesve të saj.
Në këtë panair, “Dukagjini” sjell tituj për të gjithë tipat e lexuesve.
Kolana “Anima” hap një cikël të ri botimesh me tri vepra të jashtëzakonshme nga Andrei Platonovi, Émile Zolai dhe Hermann Broch-u.
Seria e veçantë e nobelistit Hermann Hesse vjen me njëmbëdhjetë tituj për këtë panair. Ndërsa kolana “Magnum Opus” vjen e plotë, me pesë prej librave më të lexuar të të gjitha kohëve, e që së fundmi është pasuruar me kryeveprën e George Orwell-it, “1984”. Po kështu, me tituj të rëndësishëm është pasuruar edhe kolana “Fryma”, me botime mbi filozofinë e artin në përgjithësi, duke sjellë autorë si Evola, Collins-i e Giddens-i. Për lexuesin e librave më të fundit nga fusha të ndryshme, “Dukagjini” vjen në Gjakovë me dhjetë botime fantastike që botohen nga imprinti “LEKË”, nga autorët më të kërkuar.
Nga botimet e veçanta, do të sjellim për ju disa prej librave që shpalosin histori të fuqishme. “Reçak: historia e një krimi lufte” nga William Walker-i, “Agimi i Lirisë”, kushtuar heroit Agim Ramadani nga shkrimtari Ibrahim Kadriu dhe “Ciceroni shqiptar i Hitlerit” dhe “Një shqiptar në CIA” nga Bashmir Xhemaj.
E për më të vegjlit, nuk do të mungojnë lektyrat shkollore për klasat 1-5, nga pesë sosh për secilën klasë. Gjithashtu, nëntë tituj të autorit të famshëm italian Gianni Rodari, si dhe dy librat e mrekullueshëm të autores Drenusha Zajmi Hoxha, “Unë jam milingonë” dhe “Bota në një fëmijë”.
Përveç titujve të shumtë që do të mund t’i gjeni në këtë panair, ju do të keni rast që të takoni edhe autorin Bashmir Xhemaj dhe të diskutoni me të për dy librat e tij, “Ciceroni shqiptar i Hitlerit” dhe “Një shqiptar në CIA”. Takimi me autorin Xhemaj do të mbahet më datë 28 nëntor, në orën 13:00 te taverna “Puka”.
Me gjithë këta tituj, atmosferë festive dhe në një ambient të këndshëm siç është Çarshia e Vjetër në Gjakovë, shtëpia botuese “Dukagjini” ju pret përgjatë tri ditëve: 27, 28 dhe 29 nëntor, te taverna “Puka”.
