S’ka kuorum, dështon konstituimi i Komisionit hetimor për tekstet shkollore

Ka dështuar të bëhet konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe të mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024

Në mungesë kuorumi, ka dështuar të bëhet konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të teksteve shkollore e mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024.

Në komision ishin të pranishëm vetëm pesë deputetë, si Shemsedin Dreshaj nga radhët e AAK-së, Bekim Haxhiu nga radhët e PDK-së dhe nga radhët e VV-së ishin tre deputetë, Mefail Bajqinovci, Arjeta Fejza dhe Mirlinda Tishukaj Sadiku.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kërkuar që të vendoset më herët kur të mbahen mbledhjet, pasi, sipas tij, disa deputetë po janë jashtë shtetit për shkak të angazhimeve të tjera.

Ndërkaq, deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, ka propozuar që të kenë takime çdo të premte në orën 13:30, dhe për këtë propozim pati dakordim nga deputetët e pranishëm.

Pas propozimeve të deputetëve, kryesuesi i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj, e mbylli mbledhjen.

Ndryshe, më 4 prill, pas më shumë se tri orë diskutimesh, Kuvendi i Kosovës ka themeluar Komisionin hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe të mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024.

Themelimi i këtij komisioni ishte propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Para se të votohej themelimi i këtij komisioni, deputetët opozitarë dhe ata të partisë në pushtet zhvilluan debat të ashpër lidhur me ketë çështje.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, akuzoi ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për “krim të organizuar” në procesin e subvencionimit të teksteve shkollore.

“Ky skenar është i organizuar. Ka erë të madhe të korrupsionit që shkon në krim të organizuar. Fillohet, kinse ofertat janë shtrenjtë, doli kompania tha e keni 4 për qind më lirë. Kur u bën 8 minuta para fillimit të vitit shkollor, dolët dhe improvizuat me një vendim, që dëmtoi shkollën, fëmijët, nxënësit. Dhe, këto nuk ishin pasojat e vetme. E keni shkelur brutalisht Ligjin për ndarjet buxhetore”- ka thënë ai.

Të pranishëm në seancën e katër prillit gjatë votimit ishin 82 deputetë, ndërsa në votim kishin marrë pjesë 61 prej tyre.

Nga 61 vota, 57 e mbështeten komisionin hetimor parlamentar dhe katër ishin kundër.

“Kemi kuorum. Kuvendi e themelon Komisionin hetimor parlamentar”- konstatoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Procesi i sivjetmë i pajisjes së nxënësve me tekste shkollore ka hasur në kritika të shumta në shtator të vitit 2023.

Për dallim nga vitet e kaluar, prindërit është dashur që vetë t’i blejnë librat shkollorë për fëmijët e tyre.

Qeveria e Kosovës ka subvencionuar prindërit për blerjen e librave shkollorë, në shumën prej 80 eurosh për fëmijët nga klasa 1-5, për libra dhe mjeteve shkollore, ndërsa nga 30 euro për fëmijët nga klasa 6-9 për blerje të materialeve shkollore.

Për të përfituar nga subvencionimi, prindërit është dashur të aplikojnë përmes platformës e- Kosova.

Dyshimet për “dallavere” për subvencionim të librave – sot konstituohet komisioni hetimor

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Të fundit nga rubrika