Gjykata Speciale ka arrestuar të enjten ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilajn, ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, dhe ish-ushtarin e UÇK-së, Fadil Fazliun.
Në lidhje me këto arrestime, Gjykata Speciale nuk ka bërë ende një njoftim për të ofruar detaje.
Familjarët e të arrestuarve kanë konfirmuar aksionin e zhvilluar mëngjesin e së enjtes.
Isni Kilaj, i cili ka shërbyer edhe si kryetar i Komunës së Malishevës, ishte arrestuar edhe më herët në nëntor të vitit të kaluar nën dyshimin për pengim të drejtësisë.
Në maj të këtij viti, ai u lirua nën kushte të rrepta, por mbeti i dyshuar për akuza të tjera.
Lirimi i tij ishte i kushtëzuar me garanci financiare prej 30 mijë eurosh që duhej t’ia jepte administratores si sigurim.
Në korrik të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar paraqiti një aktakuzë të ndryshuar ndaj tij.
Ndërkaq, vitin e kaluar, Specialja kishte bastisur shtëpitë e ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, Smakajt dhe Fadil Fazliut.
Avokati i Isni Kilajt, Iain Edwards, pas arrestimit të ish-kryetarit të Komunës së Malishevës nga Gjykata Speciale, ka thënë për Dukagjinin se ende nuk ka informacione të qarta mbi arsyen e arrestimit të klientit të tij, i cili u mor nga shtëpia e tij në Malishevë mëngjesin e të enjtes.
“Mësova sot në mëngjes se z. Kilaj është arrestuar në shtëpinë e tij në Malishevë dhe është marrë me vete. Më tha një anëtar i familjes së zotit Kilaj. Nuk kam dëgjuar asgjë nga Dhomat e Specializuara. Nuk e di pse është arrestuar apo ku po e çojnë. Nuk kam mundur të flas me klientin tim. Po mundohem të gjej më shumë informacion”, ka deklaruar ai për Dukagjinin.
Ndërsa, Faton Klinaku, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), ka thënë se Specialja po vazhdon gjahun ndaj luftëtarëve të lirisë.