Për muaj të tërë, spiunët amerikanë kishin ndjekur nga afër çdo lëvizje të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.
Një ekip i vogël, që përfshinte edhe një burim brenda vetë qeverisë venezueliane, kishte vëzhguar se ku flinte 63-vjeçari, çfarë hante, çfarë vishte dhe madje – sipas zyrtarëve të lartë ushtarakë – edhe “kafshët e tij shtëpiake”, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Më pas, në fillim të dhjetorit, u finalizua një mision i planifikuar, i quajtur “Operacioni Vendosmëria Absolute” (Operation Absolute Resolve).
Ai ishte rezultat i muajve të tërë planifikimi të imtësishëm dhe provash, të cilat përfshinë edhe ndërtimin nga trupat elitare amerikane të një kopjeje të saktë, në përmasa reale, të shtëpisë së sigurisë së Madurós në Karakas, për të ushtruar rrugët e hyrjes.
Plani – që përbënte një ndërhyrje të jashtëzakonshme ushtarake amerikane në Amerikën Latine, të paparë që nga Lufta e Ftohtë – u mbajt sekret i rreptë ku Kongresi amerikan nuk u informua dhe nuk u konsultua paraprakisht. Pasi detajet e sakta u vendosën, zyrtarëve më të lartë ushtarakë u mbeti vetëm të prisnin kushtet optimale për nisjen e operacionit.
Ata synonin të maksimizonin elementin e befasisë, thanë zyrtarët të shtunën. Kishte pasur një nisje të rreme katër ditë më herët, kur presidenti amerikan Donald Trump kishte dhënë miratimin, por u vendos të pritej për mot më të mirë dhe më pak vranësira.
“Gjatë javëve përreth Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, burrat dhe gratë e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara qëndruan të gatshëm, duke pritur me durim që kushtet e duhura të përmbusheshin dhe që presidenti të na urdhëronte të vepronim,” tha gjenerali Dan Caine, oficeri më i lartë ushtarak i vendit, në një konferencë për shtyp të shtunën në mëngjes.
“Fat të mbarë dhe rrugë të mbarë”
Urdhri i presidentit për të nisur misionin erdhi më në fund në orën 22:46 sipas kohës lindore të SHBA-së (03:46 GMT të së shtunës).
“Do ta bënim këtë katër ditë më parë, tre ditë më parë, dy ditë më parë, dhe pastaj, papritur, u hap dritarja e duhur. Dhe ne thamë: nisuni,” tregoi vetë Trump për Fox & Friends të shtunën, disa orë pas bastisjes gjatë natës.
“Ai na tha, dhe ne e vlerësojmë shumë… ‘fat të mbarë dhe rrugë të mbarë’,” tha gjenerali Caine. Urdhri i Trumpit erdhi pak para mesnatës në Karakas, duke i dhënë ushtrisë pothuajse gjithë natën për të vepruar në errësirë.
Ajo që pasoi ishte një operacion dy orë e njëzet minuta, i zhvilluar nga ajri, toka dhe deti, që tronditi shumëkënd në Uashington dhe në mbarë botën.
Për nga përmasa dhe saktësia, ai ishte pothuajse i paprecedentë. Dhe shkaktoi dënim të menjëhershëm nga disa fuqi rajonale, me presidentin e Brazilit, Lula da Silva, i cili deklaroi se kapja me dhunë e udhëheqësit të Venezuelës krijoi “një precedent tjetër jashtëzakonisht të rrezikshëm për gjithë komunitetin ndërkombëtar”.
Trump nuk e ndoqi misionin nga salla e situatave në Shtëpinë e Bardhë. Në vend të kësaj, ai ishte i rrethuar nga këshilltarët e tij në klubin Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida, ku ndoqi transmetimin e drejtpërdrejtë të operacionit, përkrah drejtorit të CIA-s John Ratcliffe dhe sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio.

“Ishte diçka e pabesueshme për t’u parë,” tha Trump të shtunën. “Nëse do ta kishit parë çfarë ndodhi… e pashë fjalë për fjalë sikur po shikoja një emision televiziv. Dhe nëse do ta kishit parë shpejtësinë, dhunën… ishte thjesht e jashtëzakonshme, një punë e jashtëzakonshme që këta njerëz bënë.”
Në muajt e fundit, mijëra trupa amerikane janë dislokuar në rajon, duke iu bashkuar një aeroplanmbajtëseje dhe dhjetëra anijeve luftarake, në grumbullimin më të madh ushtarak në dekada, ndërsa Trump ka akuzuar Maduron për trafik droge dhe narco-terrorizëm, si dhe ka shkatërruar dhjetëra anije të vogla të dyshuara se transportonin drogë nëpër rajon.
Por shenjat e para të Operacionit Vendosmëria Absolute u panë në qiell. Më shumë se 150 avionë – përfshirë bombardues, avionë luftarakë dhe avionë zbulimi – u përdorën gjatë natës, sipas zyrtarëve amerikanë.
“Ishte shumë komplekse, jashtëzakonisht komplekse – i gjithë manovrimi, uljet, numri i avionëve,” tha Trump për Fox News. “Ne kishim një avion luftarak për çdo situatë të mundshme.”
Shpërthime të forta u dëgjuan në Karakas rreth orës 02:00 të mëngjesit sipas kohës lokale (06:00 GMT), ndërsa re tymi u panë duke u ngritur mbi qytet.
“Dëgjova një zhurmë të madhe, një shpërthim të fortë,” i tha BBC-së gazetarja Ana Vanessa Herrero.
“I tronditi të gjitha dritaret. Menjëherë pas kësaj pashë një re të madhe tymi që pothuajse e bllokoi të gjithë pamjen. Avionë dhe helikopterë po fluturonin në të gjithë qytetin”.
Së shpejti, video që tregonin avionë të shumtë në qiell – dhe të tjera që shfaqnin pasojat e dukshme të shpërthimeve – filluan të qarkullonin gjerësisht në rrjetet sociale. Njëra prej tyre tregonte një kolonë helikopterësh që fluturonin në lartësi të ulët mbi Karakas, ndërsa tymi ngrihej nga shpërthimet e dukshme.
“U zgjuam rreth orës 01:55 nga gjëmimi i shpërthimeve dhe zhurma e avionëve që fluturonin mbi Karakas,” i tha BBC-së një dëshmitare, Daniela.
“Gjithçka u zhyt në errësirë të plotë, e ndriçuar vetëm nga dritat e shpërthimeve të afërta. Fqinjët po shkruanin në grupin e pallatit, të gjithë të hutuar dhe të pavetëdijshëm për atë që po ndodhte, të frikësuar nga shpërthimet”, tha ajo.
BBC Verify ka analizuar një numër videosh që tregojnë shpërthime, zjarr dhe tym në zona të ndryshme të Karakasit për të identifikuar saktësisht cilat lokacione u goditën.
Deri më tani, janë konfirmuar pesë lokacione, përfshirë Bazën Ajrore “Generalissimo Francisco de Miranda”, një pistë ajrore e njohur si La Carlota, si dhe Porti La Guaira, lidhja kryesore e Karakasit me Detin e Karaibeve.
Sipas zyrtarëve, disa nga sulmet amerikane kishin në shënjestër sisteme të mbrojtjes ajrore dhe objektiva të tjerë ushtarakë.
Trump gjithashtu sugjeroi se SHBA-ja ia kishte ndërprerë energjinë elektrike Karakasit përpara fillimit të operacionit, megjithëse nuk specifikoi se si ishte realizuar kjo.
“Dritat e Karakasit u fikën kryesisht falë një ekspertize të caktuar që ne kemi,” tha ai. “Ishte errësirë. Dhe ishte vdekjeprurëse. Ata e dinin që po vinim”
Ndërsa sulmet po trondisnin Karakasin, forcat amerikane hynë në qytet. Mes tyre ishin edhe pjesëtarë të Delta Force, njësia elitare e misioneve speciale të ushtrisë amerikane, sipas burimeve për partnerin e BBC-së në SHBA, CBS.
Ata ishin rëndë të armatosur – dhe mbanin me vete edhe një pishtar prerës, në rast se do t’u duhej të çanin dyert metalike të shtëpisë së sigurisë së Madurós.
Trupat mbërritën në lokacionin e Maduros pak pasi filluan sulmet, në orën 02:01 sipas kohës lokale, sipas gjeneralit Caine. Trump e përshkroi shtëpinë e sigurisë si një “fortesë” ushtarake në zemër të Karakasit.
“Ata ishin në pozicion gatishmërie, duke na pritur. E dinin që po vinim,” tha Trump.
Trupat u përballën me zjarr armësh sapo mbërritën dhe një nga helikopterët amerikanë u godit, por arriti të vazhdonte fluturimin.
“Forca e kapjes zbriti në kompleksin e Madurós dhe veproi me shpejtësi, saktësi dhe disiplinë,” tha gjenerali Caine.
“Ata thjesht hynë me forcë dhe thyen struktura që ishin ndërtuar pikërisht për të mos u thyer – dyer çeliku të vendosura për këtë arsye,” komentoi Trump.
Vetëm ndërsa operacioni po zhvillohej – i cili përfshiu edhe kapjen e bashkëshortes së Madurós, Cilia Flores – Rubio filloi të njoftonte ligjvënësit amerikanë për aksionin, një vendim që më pas shkaktoi zemërim nga disa anëtarë të Kongresit.
“Ta themi qartë: Nicolas Maduro është një diktator i paligjshëm. Por nisja e një veprimi ushtarak pa autorizim të Kongresit dhe pa një plan të besueshëm për atë që vjen më pas është e pamatur,” tha demokrati kryesor Chuck Schumer, udhëheqësi i partisë në Senat.
Njoftimi paraprak i Kongresit do ta kishte rrezikuar misionin, tha Rubio për gazetarët. “Kongresi ka prirje të nxjerrë informacione,” shtoi Trump. “Kjo nuk do të ishte gjë e mirë.”
Në kompleksin e Madurós, ndërsa trupat elitare amerikane po hynin masivisht, Trump tha se presidenti venezuelian – i cili thuhet se muajt e fundit kishte shtuar varësinë nga truproja kubanë – u përpoq të arratisej drejt një dhomë të sigurt.
“Ai po përpiqej të shkonte në një vend të sigurt, i cili nuk ishte i sigurt, sepse ne do ta kishim hedhur në erë derën për rreth 47 sekonda,” tha Trump.
“Ai arriti te dera. Nuk arriti ta mbyllte. U kap aq shpejt sa nuk arriti të hynte brenda asaj dhome.”
I pyetur nëse SHBA-ja mund ta kishte vrarë Maduron – një udhëheqës autoritar që mori presidencën në vitin 2013 – nëse ai do të kishte rezistuar arrestimit, Trump u përgjigj se ‘mund të kishte ndodhur’.
Nga ana amerikane, “disa djem u plagosën”, tha ai, por asnjë ushtar amerikan nuk u vra.
Autoritetet venezueliane nuk kanë konfirmuar viktima.
SHBA-ja kishte ofruar më parë një shpërblim prej 50 milionë dollarësh (37 milionë paund) për informacione që do të çonin në arrestimin e Madurós. Por deri në orën 04:20 të mëngjesit të së shtunës, helikopterët po largoheshin nga territori venezuelian me Maduron dhe bashkëshorten e tij në bord, në ndalim nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, drejt Nju Jorkut, ku pritet të përballen me akuza penale.
Pothuajse saktësisht një orë më vonë, Trump e njoftoi botën për kapjen e tij:
“Maduro dhe bashkëshortja e tij së shpejti do të përballen me tërë forcën e drejtësisë amerikane,” tha ai.