Statovci thotë se pagat e administratës janë ndër më të lartat në rajon, sindikalisti Gashi: Rritja është simbolike

Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci ka thënë se me vlerën e re të koeficientit, pagat e punëtorëve të administratës publike në Kosovë janë ndër më të lartat në rajon. Lidhur me këtë çështje, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës (SPAK), Ali Gashi ka thënë se vlera e koeficientit prej 105 eurosh është zhgënjim për këtë sektor

Deputetja e LVV-së, Jeta Statovci

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) po konsideron se me vlerën e re të koeficientit të pagave, pagat e punëtorëve të administratës publike në Kosovë janë ndër më të lartat në rajon. Mirëpo ligji po konsiderohet zhgënjyes nga përfaqësuesit e Administratës.

Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci, ka thënë se me vlerën e re të koeficientit, çereku i zyrtarëve publikë kanë 100 për qind paga më të larta, duke shtuar se me këtë ligj ka po ashtu një rritje të pagës mesatare të sektorit publik në 768 euro.

“Nuk ka pasur lëvizje në raport me pagat që mbi afro 11 vite me radhë, andaj edhe kushtet në raport me tregun dhe ekonominë kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Besoj që ligji në tërësi trajton çështjen e rregullimit të këtij sektori. Sektorit të pagave i janë shtuar rreth 111 milionë euro, të cilat janë shpërndarë në kategori”, ka thënë Statovci.

“Vlen të ceket që në raport me administratën në tërësi apo në raport me zyrtarët publikë, ¼ e tyre merr pagë 100 për qind më të lartë, kemi një rritje të pagës mesatare të sektorit publik në 768 euro. Kemi edhe sektorë të cilët janë konsideruar më të ndjeshëm në këtë aspekt”, ka shtuar ajo.

Deputetja Statovci ka theksuar se me koeficientin e ri Kosova u është afruar standardeve të Bashkimit Evropian dhe se paga mesatare e sektorit publik është ndër pagat më të larta edhe në krahasim me rajonin.

“Nga një raport që ka qenë 1 me 20 në mes të pagës më të ulët edhe pagës më të lartë i jemi përafruar standardeve të Bashkimit Evropian të cilët e mbajnë një raport 1 me 6. Andaj ne shohim edhe një praktikë të tillë edhe në vendin tonë. Nëse e shohim pagën mesatare të sektorit publik është ndër pagat më të larta edhe në krahasim me rajonin, po besoj që efektet e saj më së miri do të shihen pas fillimit të implementimit të tij”, ka potencuar Statovci për EO.

Për këtë situatë, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës (SPAK), Ali Gashi ka thënë se nga kontaktet që kanë pasur me strukturat e Sindikatës së Administratës Publike dhe me zyrtarë publikë, vlera e koeficientit prej 105 euro është zhgënjim për këtë sektor.

Gashi ka thënë se kjo është një rritje simbolike dhe se Qeveria duhet të reflektojë që ta ngrisë koeficientin, të paktën mbi 120 euro.

“Nga kontakte që i kemi pasur me strukturat e Sindikatës së Administratës Publike, por edhe zyrtarët e tjerë publikë, e më theks të veçanta shërbyesit civilë, këtë vlerë të koeficientit nuk e kanë pritur mirë. Ka vite të tëra që jemi duke e pritur këtë ligj të pagave dhe rrjedhimisht kemi menduar dhe kemi besuar që do të merren për bazë kërkesat tona dhe propozimet tona”, ka thënë Gashi.

“Kjo është një rritje simbolike. Të gjitha federatat sindikale nuk e kanë pritur mirë. Janë paralajmëruar edhe ankesa tek Avokati i Popullit. Për t’i ikur kësaj situate unë konsideroj që Qeveria ka kohë që të reflektojë dhe të marrë për bazë këto shqetësime dhe ta ngrisë këtë vlerë të koeficienti të paktën mbi 120 euro”, ka shtuar ai.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës (SPAK), Ali Gashi

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës ka theksuar se ky ligj është i mirë vetëm për strukturën politike, mirëpo sa u përket profesionistëve dhe zyrtarëve publikë, do të kemi vetëm ikje.

“Ky ligj që rregullon dhe i avancon vetëm pjesën e strukturës politike, ata kanë të drejtë që t’i gëzohen këtij ligji, edhe Presidentja, Kryeministri, edhe ministrat edhe zv. ministrat, deputetët. Për këta, ligji është ligji më i mirë ndonjëherë. Kurse për profesionistët dhe zyrtarët publikë është një ligj zhgënjyes, një ligj që nuk rrit mirëqenien ekonomike. Edhe atë shpresë që e kanë pasur që ky ligj do të jetë si motiv për të qëndruar në Kosovë, definitivisht ka humbur ajo shpresë, dhe fatkeqësisht që migrimi vetëm do të rritet”, ka theksuar Gashi për EO.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika