Suedia garantohet nga SHBA-të gjatë periudhës së aplikimit në NATO

Suedia ka marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se do të ketë mbështetjes gjatë periudhës së aplikimit të mundshëm për t’u anëtarësuar në NATO

Ilustrim

Ministrja e jashtme suedeze, Ann Linde, ka thënë se Suedia ka marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës se do të ketë mbështetje gjatë periudhës së aplikimit të mundshëm për t’u anëtarësuar në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).

Suedia dhe Finlanda kanë rënë dakord që të paraqesin aplikime të njëkohshme për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO), të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fillim të muajit të ardhshëm.

Siç raporton “Reuters”, të dy vendet fqinje janë të shqetësuara se do të jenë të pambrojtura gjatë procesit të aplikimit, i cili mund të marrë kohë deri në një vjet për t’u miratuar nga të gjithë anëtarët e NATO-s.

“Natyrisht, nuk do të hyj në asnjë detaj, por ndihem shumë i sigurt se tani kemi një garanci amerikane. Megjithatë, jo garanci konkrete sigurie, si ato që mund t’i merrni vetëm nëse jeni një anëtar i plotë i NATO-s”, ka thënë Linde pas takimit me sekretarin e SHBA-së, Antony Blinken.

Ann Linde, ministrja e Jashtme e Suedisë

Linde nuk pranoi të thoshte se çfarë garancie kishte marrë nga Blinken.

“Kjo nënkupton se Rusia mund ta ketë të qartë se, nëse drejton çfarëdo lloj aktiviteti negativ kundër Suedisë, të cilën ata e kanë kërcënuar, nuk do të ishte diçka që SHBA-të thjesht do ta lejonin të ndodhte, pa përgjigje”, ka shtuar ajo.

“Megjithatë, jo garanci konkrete sigurie, ato që mund t’i merrni vetëm nëse jeni një anëtar i plotë i NATO-s”, ka thënë ajo.

Një deklaratë e Departamentit të Shtetit të SHBA-së lëshuar pas takimit ka thënë se Blinkeni kishte riafirmuar përkushtimin e Uashingtonit ndaj politikës së NATO-s për të mirëpritur anëtarët e rinj.

Por nuk përmendi garancitë e sigurisë.

Ilustrim

Ministri suedez i Mbrojtjes ka thënë muajin e kaluar se një aplikim mund të shkaktojë një sërë përgjigjesh nga Rusia, duke përfshirë sulme kibernetike dhe masa hibride – të tilla si fushatat propagandistike – për të minuar sigurinë e Suedisë.

Moska ka paralajmëruar se mund të vendosë armë bërthamore dhe raketa hipersonike në enklavën evropiane të Kaliningradit nëse Suedia dhe Finlanda bëhen anëtarë të NATO-s.

Linde, e cila tani do të udhëtojë në Kanada për të diskutuar çështjet e sigurisë me qeverinë e saj, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, gjë që do të rriste stabilitetin në rajonet e Baltikut dhe Arktikut.

Si Suedia ashtu edhe Finlanda pritet të marrin një vendim nëse do të aplikojnë për t’u bashkuar me NATO-n këtë muaj.

Këtë e ka bërë të ditur gazeta finlandeze Iltalehti, e cila ka raportuar se kryeqyteti i Suedisë, Stokholmi “u kishte sugjeruar të dy vendeve të tregonin gatishmërinë e tyre për t’u bashkuar” në të njëjtën ditë, dhe se kryeqyteti i Finlandës, Helsinki kishte rënë dakord që “për sa kohë që qeveria suedeze ka marrë vendimin e saj”.

Ilustrim

Kryeministrat e të dy vendeve kanë thënë se këtë muaj po diskutonin çështjen, duke argumentuar se pushtimi rus i Ukrainës kishte ndryshuar “peizazhin e plotë të sigurisë” të Evropës në rajonin nordik.

Të dy vendet janë zyrtarisht të paangazhuara ushtarakisht, por u bënë partnerë të NATO-s, duke marrë pjesë në stërvitje dhe duke shkëmbyer informacione, pasi braktisën qëndrimin e tyre të mëparshëm të neutralitetit të rreptë, kur u bashkuan me BE-në në vitin 1995 pas përfundimit të ‘Luftës së Ftohtë’.

Të dy shtetet kanë qenë të paangazhuara që nga Lufta e Dytë Botërore, pavarësisht se kanë forca të vogla ushtarake, në krahasim me Rusinë.

Finlanda fitoi pavarësinë nga Rusia në vitin 1917 dhe zhvilloi dy luftëra kundër saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur edhe humbi një pjesë të territorit të saj. Finlanda kishte nënshkruar një Marrëveshje Miqësie, Bashkëpunimi dhe Ndihme Reciproke me Rusinë më 1948, duke forcuar shkallën ekonomike dhe politike.

Finlanda është mbështetur në marrëdhëniet miqësore me Moskën për të ruajtur paqen, por me pushtimin rus të Ukrainës, të cilin Moska e quan “një operacion special ushtarak”, duket të jenë gjithçka tjetër përveçse miqësore mes njëri- tjetrit.

Suedia nuk ka bërë luftë qe 200 vjet dhe politika e jashtme e pasluftës është fokusuar në mbështetjen e demokracisë në nivel ndërkombëtar, dialogun shumëpalësh dhe çarmatimin bërthamor.

Suedia dhe Finlanda do të aplikojnë së bashku për anëtarësim në NATO

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika