Sulmet ajrore izraelite në lindje të Libanit kanë vrarë tetë anëtarë të grupit militant Hezbollah, përfshirë disa zyrtarë lokalë, thanë të shtunën dy zyrtarë të grupit.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi se numri i të vdekurve ka arritur në 10 persona, por nuk bëri dallim mes militantëve dhe civilëve, shkruan AP, transmeton Dukagjini.
Sipas zyrtarëve të Hezbollahut, tetë militantët u vranë nga sulmet pranë fshatit Rayak, në verilindje të Libanit, vonë të premten. Ata folën në kushte anonimiteti, pasi nuk ishin të autorizuar të jepnin detaje për media.
Një ekip i Associated Press që vizitoi vendin e sulmit të shtunën në mëngjes raportoi se kati i sipërm i një ndërtese trekatëshe ishte shkatërruar plotësisht.
Ushtria izraelite deklaroi të shtunën se disa anëtarë të njësisë së raketave të Hezbollahut, në tri qendra të ndryshme komanduese në zonën e Baalbekut në Liban, ishin “eliminuar”.
Sipas ushtrisë izraelite, anëtarët e vrarë të Hezbollahut ishin identifikuar “si të përfshirë në përshpejtimin e përgatitjeve dhe procesit të forcimit të kapaciteteve, duke planifikuar sulme me zjarr drejt Izraelit”.
Njëri prej zyrtarëve të Hezbollahut tha se tre nga të vrarët ishin komandantë lokalë dhe i identifikoi ata si Ali al-Moussawi, Mohammed al-Moussawi dhe Hussein Yaghi.