Ky vendim i Këshillit Prokurorial të Kosovës, me të cilin u shkarkua Besim Kelmendi nga pozita e kryeprokurorit të shtetit, është shpallur i kundërligjshëm nga Gjykata Supreme.
Supremja e ka anuluar këtë vendim të KPK-së duke e vlerësuar të jashtëligjshëm, dhe duke e kthyer atë tek anëtarët në rishqyrtim dhe rivendosje.
“Sipas Gjykatës Supreme vendimi i atakuar është i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë, sepse është kontradiktor në vetvete nga fakti se ku mbështet një vendim i tillë (baza ligjore), dhe kjo krijon pasiguri se si ka mundësi një organ i tillë të merr vendime pa bazë ligjore specifike dhe referuar në dispozita që nuk i japin autorizime të veproj në formën dhe mënyrën se si ka vepruar, pra është procedurë e pa mbështetur në ligj dhe atë që nga fakti i rendit të ditës, caktimit të të njëjtit, ndryshimit të rendit të ditës, votimit, procedimit, përfundimit, rihapjes apo takimit të ri deri te vendimi i atakuar për shkarkim.”
Ndërkohë kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj përmes një përgjigjeje me shkrim për televizionin, ka thënë se ndodhen para një situate juridike të paqartë dhe se do të caktojnë një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit Prokurorial.
“Njoftohet opinioni publik se ndodhemi para një situate juridike të paqartë, pasi që për të njëjtën çështje janë iniciuar dy lëndë gjyqësore dhe se vendimet e dy instancave të ndryshme të gjykatave janë të ndryshme. Lidhur me këtë vendim, KPK do ta trajtojë dhe do të caktojë takim të jashtëzakonshëm”, ka theksuar Ardian Hajdaraj – Kryesues i KPK-së.
Besim Kelmendi u shkarkua më 20 nëntor nga KPK-ja, me 5 vota të anëtarëve, pas dëshmisë së tij dhënë në PSRK, për masakrën e Reçakut.
Vendimin KPK-ja e kishte marrë me arsyetimin se Kelmendi kishte shprehur publikisht qëndrim të njëanshëm për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit, për çka sipas KPK-së, ka denigruar pozitën e tij si ushtrues detyre i Kryepokurorit të Shtetit dhe cenon besimin e sistemit prokurorial.