Sveçla shpallet fajtor për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2018.

Sveçla është shpallur fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Ndërkaq, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, gjykata ka marrë aktgjykim refuzues, pasi ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale.

Shkalla e dënimit për Sveçlën nuk është bërë ende e ditur. Sipas Gjykatës, seanca për shpalljen e dënimit do të mbahet më 8 shtator, kur palët do të paraqesin rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Sveçla nuk ka qenë i pranishëm në seancën e sotme.

Rasti lidhet me protestat e vitit 2018, kur deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të opozitës së atëhershme hodhën gaz lotsjellës në Kuvend, në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Bashkë me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2018 janë akuzuar edhe ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, ish-deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, dhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Drita Millaku.

Procedura ndaj Sveçlës është veçuar nga ajo ndaj tre të akuzuarve të tjerë. Ai kishte munguar në seancën e 16 janarit 2026, duke e njoftuar gjykatën përmes e-mailit se ndodhej jashtë vendit. Pas kësaj, Gjykata kishte vendosur që procedura penale ndaj tij të zhvillohej veçmas.

Në seancën e 10 prillit 2026, Sveçla ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale për të cilën akuzohet.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 qershor 2024, kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të vitit 2018. Vendimi i Themelores ishte konfirmuar më pas edhe nga Gjykata e Apelit.

Në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, të katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Ata akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, mirëpo për këtë vepër kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale, sipas njoftimit të gjyqtarit të rastit, Sabit Sadikaj.

“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar ekskluzivisht në tetor të vitit 2021 për aktakuzën e ngritur ndaj Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit.

Sipas aktakuzës, e cila ishte ngritur më 29 korrik 2019, të akuzuarit dyshohet se më 21 mars 2018, nga ora 12:10 deri në 15:40, kishin ndezur disa bombola të gazit lotsjellës dhe i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po zhvillohej seanca plenare.

Si pasojë e hedhjes së gazit, deputetët ishin detyruar ta lironin sallën, duke pamundësuar vazhdimin e seancës.

Të akuzuarit, secili veç e veç, ngarkohen për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1 i Kodit Penal, për të cilën parashihet dënim me burgim prej një deri në tetë vjet.

Ndërkaq, në pikën tjetër të aktakuzës, ata akuzoheshin për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1 i Kodit Penal, pasi dyshohet se kishin penguar deputetët e Kuvendit në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare. Për këtë vepër, sipas dispozitës së atëhershme, parashihej dënim me burgim prej tre muajsh deri në tre vjet.

Të fundit nga rubrika