Gjykata Themelore në Prizren ka bërë të ditur se pas përfundimit të seancës dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj 39 të pandehurve në rastin e Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), gjyqtari i procedurës paraprake ka vendosur që të pandehurit të kthehen në qendrat e tyre të ndalimit.
Ndërkohë, avokatët e të arrestuarve kanë kritikuar mbajtjen e të pandehurve në paraburgim pas skadimit të afatit 48-orësh.
Sipas komunikatës së Gjykatës, vendimi është marrë në përputhje me nenin 162, paragrafi 8 të Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon se seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë duhet të mbahet brenda 48 orëve nga arresti dhe se i pandehuri mund të mbahet nën ndalim deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.
Gjykata ka njoftuar se vendimi i plotë do të përpilohet në formë të shkruar dhe do t’i komunikohet publikut dhe palëve në procedurë.
Ndërkohë, avokatët e të arrestuarve kanë kritikuar mbajtjen e të pandehurve në paraburgim pas skadimit të afatit 48-orësh.
Avokati Driton Muharremi ka thënë se klientët e tij po mbahen jashtëligjshëm dhe ka theksuar se ndër të arrestuarit janë një grua shtatzënë dhe një person me trajtim onkologjik, të cilët, sipas tij, duhej të liroheshin menjëherë.
“Rasti pritet të ngjallë debat të gjerë profesional dhe publik mbi standardet e respektimit të të drejtave themelore të njeriut dhe kufijtë e veprimit të gjykatës në fazat e hershme të procedurës penale. Përveç kësaj, të gjithë këtyre 35 të pandehurve në orën 10:00 u ka skaduar edhe ndalimi prej 48 orësh dhe ata vazhdojnë të mbesin të burgosur, ndërsa përveç gjyqtarit tani edhe zyrtarët e Qendrës së Paraburgimit kanë konsumuar veprën penale të privimit të kundërligjshëm të lirisë”, ka thënë Muharremi për RTK.
Edhe avokati Yll Zekaj ka deklaruar se me ndalimin e tyre po shkelet ligji dhe Kushtetuta, duke theksuar se institucioni i paraburgimit në Lipjan po pret vendimin e Gjykatës së Prizrenit edhe pse afati ligjor prej 48 orësh ka skaduar.
Më herët Gjykata Themelore në Prizren, ka njoftuar se seanca e filluar dje në ora 16:00, ndaj 39 të pandehurve, ka përfunduar në ora 23:00.
“Gjatë zhvillimit të seancës, disa nga palët në procedurë kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore, për çka Gjyqtari i procedurës paraprake ka ndërprerë disa herë seancën dhe palëve i’u është ofruar ndihma e nevojshme përmes Emergjencës, dhe kur palët kanë qenë të gatshme ka vazhduar me seancën për caktimin e masës së sigurisë”, thuhet në njoftim./RTK