Të shtënat në Minneapolis thellojnë përplasjen politike rreth emigracionit të Trumpit

Një e shtënë e dytë fatale nga agjentë federalë në Minneapolis ka futur më thellë në qendër të debatit politik ofensivën agresive të presidentit Donald Trump kundër emigracionit, duke detyruar republikanët të mbrojnë taktikat e administratës, ndërsa demokratët e shohin çështjen si urgjente në vit zgjedhor.

Agjentët federalë kanë vrarë dy shtetas amerikanë në Minneapolis gjatë këtij muaji, mes tyre edhe infermieren e kujdesit intensiv, Alex Pretti, e cila u qëllua për vdekje të shtunën gjatë përplasjeve me protestues të zemëruar nga operacionet e gjera të zbatimit të ligjit për emigracionin.

Udhëheqësi i demokratëve në Senatin amerikan, Chuck Schumer, deklaroi se partia e tij do të votojë kundër çdo ligji për financimin e qeverisë që përfshin fonde për Departamentin e Sigurisë Kombëtare, i cili mbikëqyr agjencinë e emigracionit ICE. Kongresi përballet me afatin e 30 janarit për të financuar qeverinë, përndryshe rrezikohet mbyllja e pjesshme e saj.

Në një deklaratë të dielën, Schumer u bëri thirrje republikanëve që të “bashkohen me demokratët për reformimin e ICE dhe CBP-së për të mbrojtur publikun”, duke iu referuar edhe Doganës dhe Mbrojtjes Kufitare të SHBA-së, raporton Reuters.

Edhe demokratët më të moderuar, të cilët në të kaluarën kanë qenë të kujdesshëm për të mos u perceptuar si kundër forcave të rendit, i janë bashkuar kësaj thirrjeje.

“Kjo nuk ka të bëjë me sigurinë e amerikanëve, por me brutalizimin e qytetarëve amerikanë dhe emigrantëve që respektojnë ligjin,” deklaroi senatorja nga Nevada, Catherine Cortez Masto, lidhur me operacionin e ICE.

Administrata Trump ka nisur në Minneapolis operacionin më të madh kundër emigracionit deri më tani, i cili ka shkaktuar javë të tëra protestash dhe përplasje të dhunshme mes banorëve dhe agjentëve federalë. Dy persona kanë humbur jetën gjatë këtyre incidenteve: Renee Good, më 7 janar, dhe Alex Pretti, këtë fundjavë.

Presidenti Trump nuk ka treguar shenja të tërheqjes. Në një postim në rrjetin Truth Social të dielën, ai tha se operacioni ishte thelbësor për fitoren e tij presidenciale në vitin 2024 dhe për kontrollin republikan të Kongresit.

“Tragjikisht, dy qytetarë amerikanë kanë humbur jetën si pasojë e kaosit të nxitur nga demokratët,” shkroi Trump, duke fajësuar kundërshtarët politikë.

Ndërsa shumica e republikanëve kanë mbështetur ofensivën, vrasja e një shtetaseje amerikane të armatosur ligjërisht ka krijuar rrezik politik për një parti që tradicionalisht mbron të drejtën e armëmbajtjes.

Organizata për të drejtat e armëmbajtjes kanë shprehur shqetësim ndaj përpjekjeve të administratës për të fajësuar Prettin pse kishte armë me vete gjatë protestës, pavarësisht se ajo ishte ligjërisht e lejuar.

“Çdo qytetar paqësor i Minesotës ka të drejtë të mbajë armë, përfshirë edhe gjatë protestave,” thuhet në deklaratën e Minnesota Gun Owners Caucus.

Sipas sondazheve të fundit të Reuters, votuesit demokratë nuk mbështesin taktikat e Trumpit, ndërsa edhe 39 për qind e mbështetësve republikanë shprehen të shqetësuar, duke thënë se dëmi ndaj civilëve duhet minimizuar, edhe nëse kjo nënkupton më pak arrestime.

Mes votuesve të pavarur, 73 për qind thanë se autoritetet duhet të japin përparësi shmangies së dëmeve, ndërsa vetëm 19 për qind mendojnë se rreziku i lëndimeve apo vdekjeve është i pranueshëm për të kryer arrestime.

Shija e redaktorit

Kosova ndër shtetet themeluese të Bordit të Paqes, nënshkruan Osmani

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nënshkruar në themelimin e Bordit të Paqes, iniciativë kjo e udhëhequr nga presidenti amerikan, Donald Trump. Osmani gjatë momentit...

Osmani ftohet nga Trump t’i bashkohet Bordit të Paqes

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka pranuar ftesën personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovon në Gjilan lektyrat e reja për...

Nxënësit e klasave 1 deri në 5 të disa shkollave fillore në Gjilan kanë pasur mundësi që të njoftohen nga afër me lektyrat e...

Të fundit nga rubrika