Të tjerëve “u shtyhet” vizita në SHBA, Krasniqi javën e ardhshme niset drejt Amerikës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar se në javën e ardhshme do të udhëtojë drejt SHBA-së për vizitë zyrtare

Memli Krasniqi- kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.





Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se gjatë javës së ardhshme do të jetë në vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kështu ka bërë të ditur Krasniqi për Portalin Dukagjini, duke mos dhënë më tepër detaje.

Ndryshe, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka konfirmuar që vizita e saj e paraparë për dhjetor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është shtyrë pas një takimi me zyrtarë të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Ajo ka thënë se kjo vizitë është shtyrë pas një konsultimi të përbashkët me zyrtarët amerikanë, për shkak të situatës aktuale politike në Kosovë.

Haxhiu ka deklaruar se lajmet kinse i është refuzuar viza për vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë të pavërteta.

Mediumi Reporter ka raportuar se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, u ka thënë atyre në një bisedë telefonike se nuk është koha që ministrat të udhëtojnë jashtë vendit, pasi kemi në një krizë në Kosovë, dhe duhet angazhuar nga brenda që ajo të zgjidhet.

“Nuk shoh asnjë rrethanë, në të cilën, do të ishte e vështirë për qeverinë e ShBA-s, të lëshonte vizë për një ministër të Qeverisë së Kosovës. S’mund të flas për rastet specifike ose individuale të vizave, por nuk jam në dijeni për ndonjë rrethanë ku një ministër i qeverisë nuk do të kualifikohej për marrjen e vizës për punë zyrtare”, citohet të ketë thënë Hovenier.

Mirëpo, Haxhiu e ka demantuar këtë lajm, duke shtuar se vizita në ShBA do të realizohet dhe për shkak të “interesimit”, datat nga ana e saj do të kumtohen me kohë.

Ndërkaq, përveç ministres Haxhiu, ambasadori Hovenier ka thënë për Reporter se as ministrat e tjerë nuk duhet të udhëtojnë për në SHBA.

Po ashtu, raportohet se Hovenier këtë ua ka komunikuar zyrtarëve të ndryshëm në qeveri.

Sipas mediumit në fjalë, përveç Haxhiut, vizita për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u është shtyrë edhe ministrit Xhelal Sveçla dhe kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Shpejtim Bulliqi, kryetar i Komunës së Podujevës, ka thënë se vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtyrë me kërkesën e tij, e jo për shkaqe që janë raportuar në media.

Bulliqi ka thënë se ajo që është raportuar në media është dezinformatë.

Po ashtu, Bulliqi ka thënë se ka kërkuar vetë nga Ambasada Amerikane që të shtyhet një takim i tillë për shkak të agjendës së zënë.

“Aktualisht jemi në vizitë zyrtare në Austri, jemi duke marrë pjesë në një kuorum të bizneseve dhe unë nuk mund të kthehem në Kosovë, dhe kam kërkuar që ky takim të shtyhet”, ka thënë Bulliqi në një lidhje telefonike në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Tutje, Bulliqi ka theksuar se komplet delegacioni e ka shtyrë takimin, prandaj nuk qëndron ajo që është thënë.

Bulliqi ka bërë të ditur se nuk ka një datë të caktuar për të realizuar takimin, por sipas tij, vizita do të bëhet në një “moment të përshtatshëm”.

Komunikimi zyrtar mes Shpejtim Bulliqit dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është përcjellë nga Bulliqi për emisionin “Debat Plus”, me Ermal Pandurin.

Por, sipas këtij komunikimi që vetë Bulliqi e ka ndarë me RTV Dukagjinin, arsyet që kryetari i Podujevës ia ka kumtuar delegacionit të qytetit Ames në SHBA, janë se “vizita e delegacionit në SHBA është anuluar shkaku i situatës në veri të Kosovës”.





Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika