Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet E.S., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasja në tentativë”.
Sipas aktakuzës, më 24 tetor 2025, rreth orës 19:55, në Stacionin e Autobusëve në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme, i pandehuri dyshohet se me dashje ka tentuar t’i marrë jetën një të mituri.
Fillimisht ai e ka ofenduar verbalisht të dëmtuarin, ndërsa më pas e ka goditur dy herë me thikë në pjesën e gjoksit dhe të krahut.
Nga goditjet, i mituri ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është trajtuar në QKUK, në Klinikën e Kirurgjisë Torakale.
Prokurori i çështjes ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe ndaj tij të shqiptohet dënim sipas ligjit.