Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, këtë të enjte në Davos të Zvicrës ka themeluar Bordin e Paqes bashkë me nënshkrimin e 19 shteteve.
Trump ka ftuar dhjetëra shtete që t’i bashkohen bordit, i cili synon zgjidhjen e konflikteve globale, por mandati i tij ka alarmuar disa aleatë të SHBA-së, ashtu si edhe komenti i presidentit amerikan se ai “mund” ta zëvendësojë Kombet e Bashkuara.
Bordi, i cili do të kryesohet për një afat të pacaktuar nga Trump, fillimisht ishte konceptuar si një trup i kufizuar me detyrë mbikëqyrjen e rindërtimit të Gazës, e cila u shkatërrua nga lufta dyvjeçare e Izraelit. Megjithatë, qëllimi i tij është zgjeruar për të trajtuar konflikte në mbarë botën, ndërsa draft-statuti, i cili u është dërguar vendeve të ftuara, as që e përmend Gazën, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Mes vendeve të ftuara për t’iu bashkuar bordit janë edhe kundërshtarët e SHBA-së, Rusia dhe Kina, si dhe shteti represiv afatgjatë Bjellorusia, duke ofruar vende të përhershme kundrejt një pagese prej 1 miliard dollarësh. Aleatë evropianë, shtete të pasura me naftë të Gjirit, republika ish-sovjetike dhe madje edhe Papa kanë marrë ftesa për t’u bashkuar.
Sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane, rreth 35 nga 50 shtetet e ftuara pritet të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të enjten, në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Çfarë është Bordi i Paqes?
Trump fillimisht e kishte prezantuar Bordin e Paqes si pjesë të fazës së dytë të planit 20-pikësh të armëpushimit në Gaza, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, në shtator.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e mbështeti planin në nëntor – duke i dhënë legjitimitet ndërkombëtar – me një mandat që bordi të mbikëqyrte demilitarizimin dhe rindërtimin e Gazës.
Por Trump kishte plane afatgjata. Draft-statuti, i siguruar nga CNN, e përshkruan Bordin e Paqes si një “organizatë ndërkombëtare” që promovon stabilitetin, paqen dhe qeverisjen “në zona të prekura ose të kërcënuara nga konflikti”.
Sipas statutit, Trump do të shërbejë si kryetar i bordit për një afat të pacaktuar, duke pasur mundësi ta mbajë këtë post edhe pas përfundimit të mandatit të tij të dytë presidencial.
“Bordi i Paqes” do të qëndrojë mbi një “Bord Ekzekutiv themelues”, ku përfshihen dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i dërguari special Steve Witkoff dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair.
Kush e ka pranuar ftesën?
Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Egjipti, Katari, Bahrejni, Pakistani, Turqia, Hungaria, Maroku, Kosova, Argjentina dhe Paraguai e kanë pranuar ftesën e Trumpit.
Po ashtu, kanë pranuar edhe shtetet e Azisë Qendrore Kazakistani dhe Uzbekistani, si dhe vendet e Azisë Juglindore Indonezia dhe Vietnami.
Edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është pjesë e bordit, pavarësisht se ka shprehur zemërim për përfshirjen e zyrtarëve turq dhe katarianë në bordin ekzekutiv për Gazën dhe për faktin se përballet me një urdhër-arrest nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Armenia dhe Azerbajxhani, të cilat vitin e kaluar nënshkruan një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja – që do t’i jepte SHBA-së qasje ekskluzive për zhvillimin e një korridori tranziti strategjik në rajon – gjithashtu kanë rënë dakord.
Edhe lideri bjellorus Alexander Lukashenko, shpesh i përshkruar si diktatori i fundit i Evropës dhe aleat kyç i presidentit rus Vladimir Putin, është regjistruar për t’iu bashkuar bordit.
“Kam disa persona kontroversë në të,” i tha Trump CNN-it, duke iu referuar pretendimit të tij se Putin ka rënë dakord të bashkohet. Lideri rus ende nuk e ka konfirmuar vendimin, megjithëse ka përmendur mundësinë e përdorimit të aseteve ruse të ngrira në SHBA për të paguar tarifën prej 1 miliard dollarësh për një vend të përhershëm.
Përfshirja e mundshme e Putinit ka ngritur shqetësime se si një shtet që është aktualisht në luftë mund të përfshihet në një përpjekje për sigurimin e paqes.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, i cili ka kritikuar vazhdimisht Trumpin për shkatërrimin e rendit global “të bazuar në rregulla” dhe për vendosjen e tarifave ndëshkuese, synon të bashkohet me kushte, duke thënë se detajet – përfshirë ato financiare – ende nuk janë përcaktuar.
Kush e ka refuzuar?
Disa shtete nuk janë shprehur ende, ndërsa të tjera i kanë refuzuar ftesat.
Franca dhe Norvegjia kanë refuzuar, pjesërisht duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si Bordi i Paqes do të funksiononte në bashkëpunim me OKB-në.
Kina konfirmoi se ishte ftuar, por nuk ka deklaruar nëse do të bashkohet. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze tha të mërkurën se Kina “do të mbetet e përkushtuar fuqishëm në mbrojtjen e sistemit ndërkombëtar me OKB-në në qendër”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ishte e vështirë të imagjinohej të ishte “së bashku me Rusinë në ndonjë këshill” dhe se “problemi është se Rusia është armiku ynë, ndërsa Bjellorusia është aleati i saj”.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se mund të ketë pengesa kushtetuese për t’u bashkuar dhe se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit. Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Irlandës, Helen McEntee, deklaroi se do ta shqyrtonte ftesën “me kujdes”.
Cilat janë shqetësimet?
Bordi i Paqes i Trumpit ka qenë i shoqëruar nga polemika.
Diplomatë, zyrtarë dhe liderë botërorë kanë shprehur shqetësime serioze lidhur me mandatin e zgjeruar të bordit, kryesimin e pacaktuar nga Trump dhe dëmin e mundshëm që kjo nismë mund t’i shkaktojë punës së OKB-së.
Shtetet anëtare do të shërbejnë për mandate trevjeçare, pas së cilave duhet të paguajnë 1 miliard dollarë për një vend të përhershëm. Fondet e mbledhura do të përdoren për rindërtimin e Gazës, sipas një zyrtari amerikan, por kjo lëvizje është kritikuar si e cenueshme ndaj korrupsionit.
Komentet e Trumpit se bordi “mund” ta zëvendësojë OKB-në kanë shtuar shqetësimet se ai mund të shndërrohet në një mjet për të anashkaluar organizatën e krijuar 80 vjet më parë për ruajtjen e paqes globale. Statuti i bordit përmend “institucione që shumë shpesh kanë dështuar”, pa e përmendur me emër OKB-në – një organizatë që Trump e ka kritikuar vazhdimisht.
Koordinatori kryesor humanitar i OKB-së dhe drejtori për Ndihmë Emergjente, Tom Fletcher, i tha CNN-it se Bordi i Paqes i Trumpit nuk do ta zëvendësojë OKB-në.