Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe tre të tjerë janë dërguar në spital në gjendje kritike pas të shtënave me armë zjarri gjatë një ndeshjeje hokeji të shkollave të mesme, të hënën pasdite në një arenë të mbyllur akulli në Pawtucket, në shtetin amerikan Rhode Island, njoftoi policia.
Shefja e Policisë së Pawtucket, Tina Goncalves, deklaroi në një konferencë për media se i dyshuari është njëri nga personat e vdekur.
“Po i bashkojmë të gjitha pjesët e ngjarjes,” tha ajo, duke shtuar se një nga viktimat ndërroi jetë në arenën Dennis M. Lynch Arena, ndërsa një tjetër vdiq më vonë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Sipas saj, autori i dyshuar dyshohet se ka vdekur nga një plagë me armë zjarri e vetëshkaktuar.
Goncalves theksoi se ngjarja duket të ketë qenë e shënjestruar dhe mund të jetë e lidhur me një mosmarrëveshje familjare, por pa dhënë detaje të tjera, raporton The Guardian.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë edhe agjentë federalë nga ATF dhe FBI, për të ndihmuar autoritetet shtetërore dhe lokale në hetime.
Sipas mediave lokale, të shtënat ndodhën gjatë një ndeshjeje të hokejit për djem, ku merrnin pjesë nxënës nga disa shkolla të zonës. Kryetari i Pawtucket, Don Grebien, konfirmoi se në arenë po zhvillohej një aktivitet sportiv me pjesëmarrje të gjerë të komunitetit.
Gazeta lokale The Providence Journal raportoi se një video nga transmetimi i drejtpërdrejtë i ndeshjes ka kapur zërin e rreth 13 të shtënave të njëpasnjëshme, duke shkaktuar panik mes lojtarëve dhe spektatorëve që u larguan me nxitim nga arena.
Një nga prindërit e lojtarëve, Melissa Dunn, rrëfeu momentet e panikut. Ajo tha se fillimisht menduan se zhurmat vinin nga patinat e lojtarëve që godisnin tabelat anësore të fushës. “Nuk e kupton menjëherë çfarë po ndodh. Dëgjon vetëm zhurma të forta,” tha ajo. Sipas saj, ajo bërtiti që djali i saj të shtrihej në tokë para se ai dhe lojtarët e tjerë të largoheshin drejt zhveshtoreve.
“Vrapuam jashtë… Mendimi i parë është: ku është fëmija im?”, tha Dunn, duke shtuar se kur u kthye brenda, pa ekipet e emergjencës duke kryer reanimim në tribunë – një skenë që e përshkroi si tronditëse.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.